Google ADS

Finlanda do të mbyllë katër pika kufitare me Rusinë për të ndaluar azilkërkuesit

18:29 | 16 Nëntor 2023
E.K

Më 18 nëntor, Finlanda do t’i mbyllë katër prej nëntë pikave kufitare me Rusinë, për të ndalur valën e azilkërkuesve, ka thënë kryeministri finlandez, Petteri Orpo.

Presidenti i Finlandës tha më 15 nëntor se rritja e numrit të azilkërkuesve duket se është hakmarrje ruse për bashkëpunimin e Finlandës me Shtetet e Bashkuara, në fushën e mbrojtjes.

Finlanda, shtet i Bashkimit Evropian, i cili është anëtarësuar në NATO këtë vit, pas shumë vjetëve neutralitet, e ka zemëruar Rusinë, me të cilën e ndan një kufi prej 1.340 kilometrash.

Kjo pjesë kufitare e Finlandës me Rusinë shërben edhe si kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian.

Katër pikat kufitare që do të mbyllen janë në pjesën juglindore të Finlandës dhe janë ndër pikat më të ngarkuara për qarkullim mes dy palëve.

“Qeveria ka vendosur sot që Finlanda do t’i mbyllë disa pika kufitare lindore. Pikat kufitare lindore do të mbyllen në natën mes të premtes dhe së shtunës”, ka thënë Orpo në një konferencë për media.

Këtë javë, dhjetëra azilkërkues prej Irakut, Jemenit, Somalisë dhe Sirisë, kanë arritur brenda një dite në Finlandë, përmes Rusisë.

Numri i akumuluar i të ardhurve që nga shtatori tani është 280 azilkërkues, tha të enjten Autoriteti i Rojës Kufitare.

Azilkërkuesit që mbërrijnë përmes Rusisë nga 17 nëntori e tutje do të lejohen të dorëzojnë kërkesat e tyre vetëm në dy pika kufitare veriore, tha qeveria finlandeze.

Rreth 3.000 njerëz përdorin pikat kufitare juglindore të Finlandës në baza ditore.

Orpo tha se ai e kuptonte se mbylljet e pikave kufitare do ta bëjnë jetën e përditshme më të vështirë për njerëzit që lejohen të udhëtojnë midis Finlandës dhe Rusisë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme