Vendet e Bashkimit Evropian (BE) e kanë dënuar të hënën grupin radikal palestinez, Hamas – të cilin e kanë shpallur organizatë terroriste – për, siç thanë, përdorimin e spitaleve dhe civilëve “si mburoja njerëzore” në luftë kundër Izraelit.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të hënën se, në të njëjtën kohë, blloku i kërkon Izraelit “të vetëpërmbahet maksimalisht në mënyrë që ta shmangë shkaktimin e viktimave në mesin e civilëve”.
Në një takim me ministrat e Jashtëm të bllokut, Borrelli e cilësoi deklaratën të cilën e lëshoi në emër të të gjitha 27 vendeve si shenjë e unitetit, pasi tash e sa javë ka pasur shpesh deklarata kundërthënëse për atë se si duhet BE-ja t’i adresohet luftës Izrael-Hamas.
“Ju e dini sa e vështirë ka qenë kohëve të fundit – pas votimit në Kombet e Bashkuara, ku vendet votuan në mënyra të ndryshme – për ta paraqitur një qasje plotësisht të përbashkët”, tha Borrell.
Vetëm pak orë pasi liderët e BE-së thanë se ka unitet për luftën Izrael-Hamas më 28 tetor, shtetet anëtare ishin plotësisht të ndara gjatë një votimi për një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme që bënte thirrje për armëpushime humanitare në Gazë.
Tani, megjithatë, vendet e BE-së thanë në një komunikatë se iu bashkohen “thirrjeve për pauza të menjëhershme në luftime dhe për korridore humanitare, përfshirë përmes kapacitetit të shtuar në pikëkalime dhe përmes një rruge të dedikuar detare, në mënyrë që ndihmat humanitare të arrijnë sigurt te populli i Gazës”.
Ato, po ashtu, i përsëritën “thirrje që Hamasi t’i lirojë menjëherë dhe pakushte të gjitha pengjet”.
Dhe thanë se “BE-ja e dënon përdorimin e spitaleve dhe civilëve si mburoja njerëzore nga Hamasi”.
Izraeli thotë se Hamasi strehohet në mesin e civilëve në spitale, dhe se spitali më i madh i Qytetit të Gazës, Shifa, është shembull parësor i kësaj. Izraeli pretendon se luftëtarët e grupit palestinez e kanë një qendër komandimi brenda dhe nën spital.
Izraeli nuk ka ofruar video apo fotografi për t’i dëshmuar këto pretendime, megjithëse ka shpërndarë pamje të luftëtarëve të Hamasit duke vepruar në lagjet e banimit dhe duke i vendosur raketat dhe armët pranë shkollave dhe xhamive.
Vendet e BE-së nuk bënë thirrje për armëpushim në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit.
Më shumë se 11.000 palestinezë, dy e treta gra dhe fëmijë, janë vrarë prej se nisi lufta, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit të vdekur në përllogaritje. Rreth 2.700 janë raportuar të zhdukur dhe besohet se kanë ngecur apo vdekur nën rrënoja.
Së paku 1.200 njerëz u vranë në Izrael, shumica e tyre civilë, në sulmin fillestar të Hamasit, i cili e nxiti luftën.
Ndërsa, 46 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gazë prej fillimit të ofensivës tokësore.
Rreth 250.000 izraelitë janë detyruar të evakuohen nga komunitetet pranë Gazës, ku luftëtarët e Hamasit po gjuajnë ende me raketa, si dhe përgjatë kufirit verior me Libanin.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?