Zyrtarët e Byrosë Federale të Hetimit i kanë sekuestruar pajisjet elektronike, mes të cilave dhe telefonin, kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams në kuadër të një hetimi për korrupsion në lidhje me mbledhjen e fondeve për fushatën e tij elektorale.
Lajmi u konfirmua dhe nga avokati i kryebashkiakut, Boyd Johnson i cili u shpreh se Adams nuk bëri asnjë rezistencë ndaj agjentëve të FBI dhe u tregua i gatshëm të ndihmojë për zbardhjen deri në fund të kësaj çështje.
“FBI iu afrua kryebashkiakut pas një ngjarjeje. Kryetari i Bashkisë e plotësoi menjëherë kërkesën e FBI-së dhe dorëzoi pajisjet e tij elektronike. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet për hetimin”, u shpreh avokati.
Sekuestrimi i pajisjeve të qytetarit të parë të Nju Jorkut, vjen ditë pasi agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së Adams, Brianna Suggs, në Bruklin. Kjo shkaktoi anulimin e një udhëtimi të planifikuar të kryebashkiakut në Uashington për takime me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Adams nuk tha asgjë në lidhje me sekuestrimin e telefonave gjatë një konference dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje ligjore nga anëtarët e ekipit të tij të fushatës.
Sipas Zërit të Amerikës, objektivi i hetimit nuk është bërë publik nga prokurorët, por në një urdhër kontrolli, të siguruar nga gazeta Neë York Times, thuhet se autoritetet po bëjnë një hetim mbi dyshimet për një komplot të fushatës së kryebashkiakut Adams me qeverinë turke për të marrë fonde nga burime të huaja, përmes personave ose entiteve vendase./a2cnn
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...