Google ADS

Akullnajat e Grenlandës po shkrihen pesë herë më shpejt se 20 vjet më parë

21:55 | 10 Nëntor 2023
KRG

Ngrohja globale ka rritur pesëfish shkallën e shkrirjes së akullnajave të Groenlandës në 20 vitet e fundit, thanë sot shkencëtarët nga Universiteti i Kopenhagës.

Shkrirja e akullit në Grenlandë është një shqetësim i veçantë sepse shtresa e lashtë e akullit, nëse shkrihet plotësisht, ka ujë të mjaftueshëm për të rritur nivelin e detit me të paktën gjashtë metra, raportoi Reuters.

Një studim i një mijë akullnajave në zonë tregoi se shkalla e shkrirjes ka hyrë në një fazë të re në dy dekadat e fundit, tha Anders Anker Bjork, asistent profesor në Departamentin e Gjeoshkencës dhe Menaxhimit të Burimeve Natyrore në Universitetin e Kopenhagës.

“Ekziston një korrelacion shumë i qartë midis temperaturës që po përjetojmë në planet dhe ndryshimeve që po shohim në shpejtësinë e shkrirjes së akullnajave”, tha Bjork.

Akullnajat po zvogëlohen mesatarisht me 25 metra në vit, krahasuar me pesë deri në gjashtë metra rreth dy dekada më parë, arritën në përfundimin shkencëtarët pas studimit të zhvillimit të akullnajës mbi 130 vjet përmes imazheve satelitore dhe 200,000 fotografive të vjetra.

Siç treguan shkencëtarët e BE-së në fillim të këtij muaji, bota tashmë është ngrohur me pothuajse 1.2 gradë Celsius mbi temperaturat para-industriale dhe tashmë është praktikisht e sigurt se viti 2023 do të jetë më i ngrohti në 125,000 vjet.

“Ulja e temperaturave do të kërkonte unitet global në përpjekjet për të minimizuar gazrat serrë në atmosferë. Unë besoj se ne mund të përgatitemi që ato akullnaja të vazhdojnë të shkrihen me një ritëm gjithnjë në rritje,” tha drejtori i Institutit të Klimës Aarhus, Jorgen Eivind Olesen./euronews.al

Të ngjashme