Në raportin vjetor për Malin e Zi, Komisioni Evropian vlerëson se tensionet politike, kriza institucionale, mungesa e progresit në reformën në drejtësi, së bashku me ndryshimet e vazhdueshme në administratën publike, janë arsyet kryesore të ngadalësimit të procesit për integrim të vendit në BE.
Raporti vë theksion tek tensionet dhe përplasjet politike që u bënë shkak për krizë politike në vend. “Vendi kishte një qeveri të përkohshme që nuk kishte besimin e parlamentit dhe ky i fundit, nuk ishte në gjendje të siguronte një shumicë të qartë dhe qëndrueshme për të miratuar reformat”, thuhet në raportin e KE-së.
Komisioni Europian vlerëson se bojkoti i një pjese të madhe të parlamentit, ndikoi në punën e tij. Po kështu partitë politike nuk u angazhuan në një dialog efektiv dhe konstruktiv politik, në funksion të forcimit të përgjegjësisë parlamentare dhe mbikëqyrjes së punës së qeverisë.
Në raport thuhet se ka një mungesë të udhëzimeve mbi çështjet e anëtarësimit në Bashkimit Evropian, veçanërisht pas dorëheqjes së ministrit për çështjet e integrimeve europiane. Po kështu konstatohet se “qeveria dhe parlamenti në disa raste, kanë injoruar rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe të Komisionit të Venecias”.
Sipas Brukselit, paqartësitë në Kushtetutën e Malit të Zi, si dhe mungesa e një kuadri ligjor që rregullon kompetencat në rastet e shpërbërjes së Kuvendit, krijuan paparashikueshmëri politike dhe institucionale.
Lidhur me luftën kundër korrupsionit, Komisioni Europian vlerëson se Mali i Zi ka bërë përparim të kufizuar.
“Korrupsioni, përfshirë korrupsioni në nivelet e larta, mbetet një çështje shqetësuese dhe mbizotëron në shumë fusha, përfshirë strukturat shtetërore. Mali i Zi nuk e ka përmirësuar mjaftueshëm kornizën legjislative dhe strategjike për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në përputhje me rekomandimet e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Disa raste të spikatura të korrupsionit janë nën hetim. Përgjigjja e gjyqësorit në Malin e Zi nuk është ende e fortë dhe e qartë”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se Mali i Zi duhet të përmirësojë më tej rezultatet e hetimeve, ndjekjeve penale, në dhënien e vendimeve përfundimtare si dhe në konfiskimin e pasurive, në luftën kundër krimi i organizuar dhe korrupsionit tek nivele të larta.
Lidhur me regjistrimin e popullsisë, Komisioni Europian shprehet se:
“Regjistrimi i planifikuar kombëtar i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhet me etninë, fenë e gjuhës”./voa
Ushtria urdhërohet “të qëllojë menjëherë”, teksa mbështetësi...
Sot në Kamenicë zbulohet shtatorja e heroit Metush Krasniqi
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...