Google ADS

Bislimi: Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së

20:37 | 8 Nëntor 2023
E.G

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pranoi sot gjatë ditës nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Raportin e Vendit 2023 të Komisionit Evropian.

Pas dorëzimit të raportit e takimit të mbajtur mes palëve, u zhvillua një konferencë e përbashkët për media, ku në fjalën e tij, Bislimi tha se: “Ky është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, e në të njëjtën kohë, raporti e adreson për herë të parë vendimin final të BE-së që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024”, përcjell Arbresh.info.

“Raporti i vendit mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Gjatë kësaj periudhe raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike si dhe zbatim të masave e progres në ato ekonomike si dhe standardet e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023–27”, shtoi ai.

Duke theksuar të arriturat në reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresin ekonomik dhe social, liberalizimin e vizave dhe përkushtimin në bashkëpunimin rajonal, zëvendëskryeministri Bislimi tha se:

“Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë, kemi shpreh interesimin dhe kemi dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. E shfrytëzoj edhe këtë rast, që ta ftoj BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit të bëjë vlerësimin tonë për statusin e kandidatit.”
“Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet evropiane”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

I nderuari Ambasador Szunyog,
Të nderua përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Faleminderit për secilin prej jush që jeni sot me ne, në momentin kur ne pranojmë nga Komisioni Evropian Raportin e Vendit për vitin 2023. Ky është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, e në të njëjtën kohë, raporti e adreson për herë të parë edhe vendimin final të BE-së që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024.

Raporti i vendit mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Gjatë kësaj periudhe raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike si dhe zbatim të masave e progres në ato ekonomike si dhe tek standardet e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023–27 (PKIE).

Raporti përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme ndaj luftës në Ukrainë dhe vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në përputhje të plotë me ato nga BE dhe SHBA.

Angazhimi dhe përkushtimi i Qeverisë në rrugën drejt BE-së është gjithnjë e më i madh, andaj e mbështesim dhe e vlerësojmë lart Planin për rritje apo Growth Plan për të cilën foli edhe z. Szunyog, që u publikua sot. Integrimi në BE dhe përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike, prandaj i qëndrojmë mbrapa me vendosmëri parimeve në të cilat ky plan është i rrënjosur. Sepse, nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa përqafuar vlerat e BE-së, njёsoj siç nuk duhet tё ketё kushte shtesё apo specifike pёr njёrin nga shtetet.

Kosova pёr shkak tё specifikave tё saj gjendet mё mbrapa nё rrugёtimin e saj drejt BE-sё dhe ka indikatorё mё tё pafavorshёm nё krahasimet e nivelit tё konvergjencёs. Andaj, ajo ka nevojё pёr mbёshtetje shtesё nga ana e BE-së e assesi pёr kushte apo parakushte shtesё pёr qasje nё fondet e Planit pёr Rritje. Kjo ёshtё tepёr me rёndёsi nёse duam t’i qёndrojmё besnik arritjes sё synimeve tё proklamuara nga vetë Plani për Rritje.

Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor përkon me përkushtimin tonë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë kësaj periudhe, si:

Në fushën e konkurrencës dhe rritjes ekonomike e sidomos kemi progres në fushën e doganave, tatimeve, politikave sociale e punësimit, arsimit e kulturës dhe sektorit të energjisë.
Progres i mirë është arritur edhe në fushën e përafrimit me tregun e brendshëm ku janë miratuar 16 ligje dhe 35 akte nënligjore në kuadër të kërkesave nga MSA-ja.
Rritje e të hyrave buxhetore për 14%
Formalizim i suksesshёm i vendeve të punës
Rritje vjetore e investimeve të huaja direkte për 88% krahasuar me vitin e kaluar
Ulje e ndjeshme tё borxhit publik
Progres në menaxhimin e projekteve publike
Rritje e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve dhe rritje e shkallёs sё hapjes së ekonomisё
Rritje e regjistrimit të bizneseve të reja dhe rritje e diferencёs mes bizneseve tё hapura dhe atyre tё shuara. Vetëm në vitin 2022 janë hapur mbi 11,000 biznese të reja.
Sektorin financiar e kemi të qëndrueshëm kundrejt krizave të njëpasnjëshme
Përmirësim të mjedisit biznesor
Transformim të suksesshëm digjital të ekonomisë
Përmirësim në lëvizjen e lirë të mallit, shërbimeve dhe të kapitalit
Ulje të ndjeshme të papunësisë nga 19% në 11,8%
Normën më të ulët të kredive nënperformuese historikisht në nivelin e 2%
Ndërkaq, kemi progres evident në fushën e energjisë, si në projekte ashtu edhe në legjislacion:
Miratimi i strategjisë së energjisë 2022 – 2031
Siguri në furnizim me energji
Rritje në investime për energji të ripërtërishme
Ankandi i parë solar për 100 MW
Masat për efiçencë të energjisë në ndërtesat publike e rezidenciale, subvencionimi i mbi 10,000 familjeve për blerjen e pajisjeve efiçiente e shumë të tjera.
Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike më përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike të cilat ёshtё dashur tё vlerësohen e theksohen mё shumё në këtë raport, meqё janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe pёr mё tepёr janë rekomanduar në vetë raportin e vitit të kaluar. Disa nga to janë:
Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme – i cili adreson rekomandimet e kahershme të misioneve vëzhguese të BE-së dhe OSBE për zgjedhje transparente e demokratike
Ligji për financimin e partive politike – kërkesë shumëvjeçare e BE-së
Rregullorja e re Kuvendit
Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës
Ligji për Pagat në sektorin publik
Ligji për Zyrtarët Publik
Ligji për Prokurorin e Shtetit
Funsionalizimi i Gjykatës Komerciale
Rritje e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe caktimin automatik të lëndëve
Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës
Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore e shumë fusha të tjera
Përforcimin e ndihmës juridike falas e shumë të tjera
Gjithashtu, raporti thekson arritjet në legjislacionin anti-korrupsion siç janë:
Kodi Penal
Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit
Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave

Sa i përket Kuvendit, duhet të kemi parasysh që Kuvendi dhe efikasiteti i tij matet me numrin e ligjeve të miratuara dhe ushtrimin e suksesshëm të funksioneve të tjera mbikëqyrëse, dhe jo me atë se a është arritur kuorumi apo janë mbajtur numër i caktuar i takimeve e mbledhjeve. Gjatë vitit të kaluar, Kuvendi ka aprovuar 110 ligje, që është numri më i madh i ligjeve të miratuara në një vit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rregullorja e re Kuvendit, ka për qëllim të përmirësojë kushtet dhe procedurat për mbarëvajtjen më të mirë të punës së Kuvendit.
Kosova është vlerësuar edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal. Qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti të mundshëm nesër, por të punojnë për një të ardhme të përbashkët. Ne si qeveri, kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Kërkohet një angazhim e mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve dhe respektimin e të gjitha palëve që janë investuar në proçes. Kosova merr pjesë dhe kontribuon në pothuajse të gjitha nismat rajonale. Nënshkrimi i tri marrëveshjeve të mobilitetit, për të cilat foli dhe z. Szunyog, gjatë vitit të kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit dhe fakti që Kosova është vendi i parë që ka ratifikuar ato tri marrëveshje, tregon përkushtimin tonë për bashkëpunim rajonal.

Sa i përket Reformës së Administratës Publike, Qeveria ka miratuar një sërë dokumentesh thelbësore dhe cilësore nga kjo fushë. Së pari, është aprovu strategjia për administratën publike, dhe ka filluar zbatimi i saj nga janari i vitit 2023. Raportimi dhe monitorimi sigurohet nëpërmjet një platforme online, e cila është plotësisht funksionale. Po ashtu, qeveria ka miratuar tashmë strategjinë për qeverisjen elektronike dhe Ligjin për sigurinë kibernetike, kurse në aspektin legjislativ, qeveria ka miratuar dhe tashmë ka filluar zbatimin e dy ligjeve qenësore, siç e ceka më parë, Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligjin për pagat. Besoj fuqishёm qё pas listimit tё kёtyre tё arriturave brenda vetëm 1 viti, i vetmi pёrshkrim dhe vlerёsim korrekt do tё ishte se nё kёtё fushё ka pasur progres tё mirë.

Qeveria ka aprovuar Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022–2027. Ky Program është projektuar për të trajtuar pengesat rregullatore dhe administrative që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe ka rezultuar nё thjeshtimin e 44 lejeve dhe licensave për operatorët ekonomikë. Në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët, në platformën e-Kosova, numri i shërbimeve publike administrative i nivelit qendror është rritur nga 21 në plot 140, që është rritje për 700%, dhe kjo për rreth 800,000 abonent si qytetarë, biznese dhe OJQ të cilët përmes qasjes në e-Kosova, kursejnë jo vetëm kohë por edhe mjete financiare.

Sa i përket shoqërisë civile, ajo në përgjithësi funksionon në një mjedis të favorshëm. Shoqëria civile vazhdon të merr pjesë aktive në konsultimet publike dhe të kontribuojë në proceset e politik bërjes dhe monitorimit. Platforma online për konsultime publike është përditësuar me veçori që lehtësojnë pjesëmarrjen e personave me nevoja të veçanta. Raporti konstaton se Organizatat e Shoqërisë Civile, palët e interesuara dhe publiku u angazhuan pothuajse 400% më shumë në konsultime publike në nivel qëndror sesa në vitin paraprak.

Tek agjenda e barazisë gjinore, raporti njeh se pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe vendimmarrjes në institucione dhe parti politike është përmirësuar. Për herë të parë, gratë udhëheqin më shumë se gjysmën e komisioneve parlamentare, një e arritur e cila mbase nuk mund të vërehet as te shumica e anëtarëve të vetë BE-së, si dhe përfaqësimi i grave në pozita të larta qeveritare është rritur. Po ashtu, pronësia e grave mbi pronat, që u takojnë, në vetëm këtë vit është rritur për 400%, nga 1500 në rreth 7000 prona të bartura në pronësi të grave.
Për mbrojtjen e të dhënave personale, kemi vlerësime shumë pozitive nga aspekti i përafrimit me acquis të BE-së. Agjencia për Informim dhe Privatësi, mbikëqyr zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Ligjin për qasje në dokumente publike. Agjencia është treguar e pavarur dhe ka vazhduar të përmirësojë kapacitetet e saj.

Sa i përket qasjes në informacion, legjislacioni është gjerësisht në përputhje me standardet e BE-së. Në vitin 2022, Agjencia raportoi se institucionet publike kanë pranuar gjithsej 4,481 kërkesa për qasje në dokumente publike dhe vetëm 154 sosh nuk janë përmbushur, që në përqindje i bie vetëm 3% e kërkesave për qasje në informacion publik nuk janë përmbushur.

Raporti poashtu jep edhe sugjerime e rekomandime për hapat e ardhshëm që institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i ndjekin gjatë rrugëtimit drejt BE-së, e të cilat ne do t’i marrim seriozisht dhe do të përkujdesemi që ato të përfshihen në Programin Kombëtar për Integrim Evropian si dhe në Planin e Veprimit.

Të nderuar qytetarë, Kosova ka dëshmuar që është aleate e Bashkimit Evropian, dhe edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian. Mosnjohja e plotë nga 27 vendet anëtare të BE-së vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Vazhdimi i procesit të anëtarësimit varet nga vullneti politik, derisa marrja e statusit kandidat nuk nënkupton njohje nga shtetet anëtare.

Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë, kemi shpreh interesimin dhe kemi dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. E shfrytëzoj edhe këtë rast, që ta ftoj BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit të bëjë vlerësimin tonë për statusin e kandidatit.
Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresin ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në bashkëpunimin rajonal, konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes Evropiane. Largimi i masave ndëshkuese nga ana e BE-së, do të kthente motivimin dhe përshpejtonte edhe më shumë reformat. Ky seriozitet i angazhimit, do të rritet shumëfish edhe më tej kur Kosova të pranojë statusin e vendit kandidat, përmes të cilit rruga e Kosovës drejt BE-së do të bëhet edhe më e qartë e edhe më e prekshme. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet evropiane.

Ju faleminderit! ​

Të ngjashme