Komisioni Evropian rekomandon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE për Ukrainën dhe Moldavinë

19:36 | 8 Nëntor 2023
KRG

Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në Bashkimin Evropian. Lajmi u mirëprit veçanërisht në Ukrainën e përfshirë nga lufta me Rusinë, por që dëshiron një të ardhme në Bashkimin Evropian.

Gjatë një konference shtypi të mërkurën në Bruksel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian mirëpret disa vende për t’iu bashkuar radhëve të tij.

Në një raport prej 1200 faqesh, lëshuar nga Komisioni Evropian, thuhej se Ukraina dhe Moldavia kanë përmbushur në mënyrë të kënaqshme shumicën e detyrimeve lidhur me reformat dhe se tashmë janë gati për të filluar procesin e negociatave.

Vizita e fundit e zonjës Von der Leyen në Kiev ishte një tregues i qartë i gatishmërisë së Bashkimit Evropian për të nisur procesin e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës.

Pas takimit me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, presidentja e Komisionit Evropian përgëzoi Ukrainën për përparimin e rëndësishëm në zbatimin e reformave.

“Dua t’ju them se i vlerësojmë shumë reformat që keni bërë në mes të luftës. Nuk duhet të harrojmë kurrë se ju jeni në një luftë për ekzistencë e në të njëjtën kohë, po reformoni thellësisht vendin tuaj. Ju keni kaluar shumë etapa, duke reformuar sistemin e drejtësisë, duke bllokuar kontrollin që gëzojnë oligarkët, duke trajtuar çështjen e pastrimit të parave dhe shumë më tepër se kaq”, tha ajo.

Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit, zoti Zelenskyy ripohoi angazhimin e Kievit për të përmbushur të gjitha detyrimet për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai tha se Ukraina nuk ka reshtur së transformuari institucionet e saj dhe se reformat do të vazhdojnë.

Po kështi zoti Zelenskyy shtoi se vendi ka gati një ligj të ri që siguron më shumë efektivitet për sistemin e tij antikorrupsion.

“Ukraina nuk e ka ndalur procesin e transformimit të institucioneve të saj. Reformat do të vazhdojnë”, tha ai.

Gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian do të duhet të miratohen nga të gjitha vendet anëtare gjatë një takimi të nivelit të lartë që mbahet në dhjetor.

Zoti Zelenskyy tha se vendi i tij pret një vendim politik për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky vendim do të ketë një ndikim thelbësor jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Evropën.

Po kështu zoti Zelenskyy tha se fillimi i negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, do të ishte një lajm i mirëpritur për shoqërinë ukrainase dhe për ushtarët ukrainas, që sikurse ai tha, po mbrojnë vlerat evropiane në vijën e frontit./voa

Të ngjashme