Kurti: Si Qeveri, kujdesemi maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovës

11:45 | 8 Nëntor 2023
K.B

Qeveria e Kosovës mbajti sot mbledhjen e 172-të me radhë.

Në këtë mbledhje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë, si parakushte për paqen e qëndrueshme. Vazhdon angazhimi ynë institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës.

Kurti gjatë fjalimit të tij tha se për të ndërtuar të ardhmen, duhet adresuar të shkuarën. Ballafaqimi me të kaluarën është një proces shërues, dhe një mekanizëm i domosdoshëm për përparim shoqëror.

Shefi i ekzekutivit shton se duke qenë një e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe një e drejtë kolektive, është edhe obligim për shtetin. Shteti duhet të mundësojë që këto të drejta të realizohen, shkruan Arbresh.info

Për të ndërtuar të ardhmen, duhet adresuar të shkuarën. Ballafaqimi me të kaluarën është një proces shërues, dhe një mekanizëm i domosdoshëm për përparim shoqëror.

Duke qenë një e drejtë individuale e të mbijetuarve, viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe një e drejtë kolektive, është edhe obligim për shtetin. Shteti duhet të mundësojë që këto të drejta të realizohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë, si parakushte për paqen e qëndrueshme. Vazhdon angazhimi ynë institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës. Angazhimi ynë për të matur dëmet e shkaktuara. Andaj sot u bë edhe një hap në këtë drejtim, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbejë edhe neve edhe brezave pas nesh. Po e jetësojmë Institutin që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999. Andaj sot emërova z. Atdhe Hetemi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, që do t’i prijë këtij procesi të rëndësishëm. Atdhe Hetemi, është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai ka përfunduar doktoraturën në Universitetin e Gentit në Belgjikë, me fokus në historinë politike të Ballkanit Perëndimor. Ka më shumë se pesëmbëdhjetë vjet përvojë profesionale, të përqendruar kryesisht në punë hulumtuese dhe hartim të politikave.

Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, nuk janë të shkuara. Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme. Është e pafund dhimbja. Duke i dokumentuar krimet e dëmet e luftës, ne edhe e ndajmë dhembjen, edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të shkuarën.

Përtej së qeni një çështje me rëndësi historike, adresimi i krimeve të kryera dhe dëmeve të shkaktuara është një obligim moral. Është dëshmi e përkushtimit të Republikës sonë ndaj vlerave të paqes dhe të drejtave të njeriut. Është detyrë e secilit prej nesh, për lirinë e paqen që e gëzojmë, që gjithmonë të kujtojmë sakrificën e popullit tonë.

Plagët janë ende të njoma. Ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Po i japim prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij viti, në territorin e Republikës së Kosovës janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione. Prej tyre, pesë lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhin, Gjakovë dhe në Prizren. Aktualisht jemi në pritje të rezultateve të ADN-së.

Sfida kryesore për zbardhjen e rasteve mbetet mungesa e informatave të besueshme dhe refuzimi për bashkëpunim nga ana e Serbisë, që vazhdon të qëndrojë mbi varreza masive teksa i mohon ato.

Si Qeveri, kujdesemi maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovës. Kemi themeluar Komisionin shtetëror për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kemi filluar projektin për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që e kanë humbur jetën nga kushtet e luftës.

Po hartojmë Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale, me pjesëmarrje dhe kontribut edhe nga grupet e viktimave.

Në përgjigje të pandëshkueshmerisë së krimeve të luftës në Kosovë, kemi hequr pengesat ligjore për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ata janë.

Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për pozita të reja në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës dhe kemi dyfishuar numrin e hetuesve të krimeve të luftës. Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë. Ato nuk parashkruhen. Andaj nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori e agresori serb gjatë luftës në Kosovë.

Duke ruajtur kujtesën tonë kolektive për të kaluarën, ne edhe i mirëmbajmë lidhjet mes brezave edhe e kultivojmë traditën tonë të fisme të humanitetit.

Ju falemnderit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme