Barazon rekordin një shekullor, Ten Hag hyn në histori me Manchester United

08:34 | 7 Nëntor 2023
D.H

Erik ten Hag arriti 50 fitore si trajner i Manchester United me triumfin ndaj Fulhamit të shtunën. Bruno Fernandes realizoi në minutat shtesë për të zgjidhur një ndeshje të vështirë në “Craven Cottage”, një gol që u dhuroi tri pikë mjaft të rëndësishme “Djajve të Kuq”. Dueli në Londër ndaj kundërshtarëve të Fulhamit ishte ndeshja e 79-të për Ten Hag në krye të Manchester United.

Në këtë mënyrë, Erik ten Hag u bë trajneri më i shpejtë i United që arrin 50 fitore në shekullin e ri, pasi më herët ka qenë Ernest Mangall që ka vendosur këtë rekord për Djajtë e Kuq në vitin e largët 1905. 30 fitore të Erik ten Hag kanë ardhur në Premier League, me United që u rendit në vendin e tretë në sezonin e kaluar, ndërkohë që ish-trajneri i Ajaxit numëron dhe 4 fitore në FA Cup dhe 7 të tjera në Carabao Cup.

Sa i takon triumfeve në kompeticionet europiane, United me Ten Hag në krye ka fituar 9 nga 15 ndeshjet e luajtura, 8 të cilat erdhën vjet në Europa League dhe një përballë Copenhagenit këtë sezon.

Jose Mourinho i shkoi më pranë rekordit të Mangall para Erik ten Hag, teksa portugezit iu deshën 81 ndeshje për të siguruar 50 fitore. Norvegjezit Ole Gunnar Solskjaer, që zëvendësoi Mourinhon te 20 herë kampionët e Anglisë, iu deshën 95 ndeshje, ndërkohë që Sir Matt Busby-t 96, Ron Atkinsonit 97, por trajnerit legjendar të klubit, Sir Alex Ferguson, që qëndroi 26 vite në krye të Manchester United dhe fitoi gjithçka, iu deshën plot 105 për të arritur 50 fitore./ss

Të ngjashme