Përplasjet në Kryesi, reagon Meta: Dënoj me ashpërsi militarizimin e Kuvendit

15:06 | 6 Nëntor 2023
A Z

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje përplasjes që ndodhën mëngjesin e ditës së sotme tek Kryesia e Kuvendit, ku disa deputetë u futën nga dritarja.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ai tha se dënon me ashpërsi militarizimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ai theksoi se Partia e Lirisë, mbështet garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend dhe të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë.

Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.

Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;

Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;

Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.

Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”-tha ai.

 

Të ngjashme