Google ADS

800 metra nën tokë, brenda minierës së Trepçës – rrëfimet e minatorëve

13:01 | 5 Nëntor 2023
K.B

Tash e sa vite, minatorët e Trepçës çdo ditë lëshohen në një thellësi prej mbi tetëqind metra nën sipërfaqen e tokës për të nxjerrë xehet dhe mineralet. Me punën e tyre ata nxjerrin mbi tokë, pasurinë nëntokësore të Kosovës.

Miniera me më së shumti kapacitet të prodhimit në vend, njihet ajo e Trepçës e cila gjendet në Stantërg, të Mitrovicës.

Vizita e ekipit të portalit Arbresh.info në minierën e Trepçës, u shoqërua me gjeologun, Safet Peci, me të cilin vizituam horizontin e 11 me 800 metra thellësi nën sipërfaqen e tokës.

Ai na tregon se kjo minierë është më e madhja në Evropë për nga sasia e plumb-zinkut dhe argjendit.

“Miniera e Trepçës është më e madhja në Evropë, e plumb-zinkut dhe argjendit. Kjo minierë i ka gjithsej 11 horizonte, çdo horizont i minierës është nga 60 metra thellësi”.

Për të zbritur tek horizonti i 11 duhet të shfrytëzohet ashensori i cili daton nga 1954, ku sipas gjeologut Safet Peci është i sigurt për shakë të riparimit që i është bërë

“Ashensori është shumë i vjetër, ky ashensor ka ekzistuar p0ara viteve të 90-ta. Pas vitit 1999 kur kanë hyrë punëtorët shqiptarë në minierën e Trepçës, është bërë riparimi dhe shkalla e stabilitetit të tij me pesha të ndryshme, ky lift është i sigurt, nëse vije një rrezik vije nga pakujdesia ose nga faktori njeri”.

Në horizontin e 11 në thellësi të minierës gjendet një zonë e nxehtë, për shkak të thellësisë dhe procesit të mos ajrimit.

“Temperaturat e larta në minierën e Trepçës e bëjë të nxehtë, për shkak të thellësisë, proceset e ajrimit, proceset e shfrytëzimit të xehes dhe proceset e oksido-reduktimit të xehes e faktorë të tjerë ndërlidhës. Minatorët në minierën Trepça , përballen me problemet e ajrimit të cilat janë edhe të natyrës së minierës, por edhe mungesa e zgjerimit të projekteve të objekteve xehtare të cilat mundësojnë një ajrim më të mirë dhe një ajër më të pasur”.

Makineritë me të cilat shfrytëzohen nga minatorët për të nxjerrë xehen, disa janë të vjetra dhe disa të reja, por si problem kyç të cilat përmes mënyrës së eksploatimit të xehes shkaktojnë një ndotje mjaftë të rrezikshme. Makineritë janë edhe të vjetra por ka edhe makineri që kanë ardhur më vonë, mirëpo problemi kyç është mënyra e eksploatimit të xehes përmes mjeteve transportuese me naftë e cila shkaktoi një ndotje të ajrit e cila mund të rrezikoj edhe jetën e punëtoreve nëm minierë, siç është lirimi i monoksidit të karbonit dhe djegia jo e plotë e karburantit e cila drejtpërdrejtë e rrezikon jetën e minatorit”, tregon ai.

Këtu punëtorët kanë mosha të ndryshme.

“Punëtorët kanë mosha të ndryshme, nga moshat më të reja deri tek moshat para pensionit. Mosha nuk e besoj që është një problem shumë i madh sepse nganjëherë me moshë është edhe pjekuria në profesion është më e madhe”, tregon Peci.

Në minierën e Trepçës buron edhe një ujë termal, i cili del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë me një temperaturë 52 gradë celsius.

“Ky është një ujë termal i cili del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë nga thellësia është ujë i cili ka në temperaturë 52 gradë celsius. Ky ujë për momentin shkon si ujë i lirë takohet me ujin e ftohët në korridorin e 11 të këtij horizonti dhe del përmes sistemit të pompimit”.

Ky ujë, sipas gjeologut Safet Peci mund të ishte shfrytëzuar në të ardhmen për ngrohjen, amvisëri dhe në fushën e industrisë.

Sami Uka drejtor i makinerisë në minierën e Trepçës thotë se në këto kohët e fundit problemi kryesorë qëndron me vështirësitë e furnizimit me pjesët rezervë të pompave.

“ I gjithë uji që gjendet në minierën e Trepçës grumbullohet në horizontin e 11 i cili përmes kanaleve dhe rezervarëve ndihmës vije tek rezervari kryesorë. “Në kohët e fundit po kemi vështirësi me furnizim të pjesëve rezervë nëpër pompa. Ekipa e punëtorëve të cilët i mirëmbajnë pompat dhe ujëmbledhësit duhet të pastrohen kohë pas kohe për shkak të lymit dhe papastërtive që vijnë”, thotë Peci.

Burim Osmani një ndër përgjegjësit në minierën e Trepçës, për Arbresh.info thotë se ndër sfidat më të cilat përballemi çdo ditë janë mjetet e punës të cilat janë shumë të vjetërsuara.

“Unë punoj që 11 vite në minierë, që dy vite jam duke udhëhequr pozitën mbikëqyrës i ndërrimit, kam përgjegjësi në minierë në ndërrimin tim në horizontin e 11. Këtu në punishten 156 punojnë xehetarët ku e bëjmë ngarkimin e xehes me kave, thotë ai”.

“Në këtë punë ka shumë sfida, kemi probleme me mjete të punës të cilat janë shumë të janë vjetërsuara, por unë e dua shumë këtë profesion dhe asnjëherë nuk kam përtuar, sepse kjo minierë është e jona, e Kosovës”.

Një ndër punëtorët tjerë që punon në këtë minierë është edhe Arben Halili, ku sipas tij kushtet nuk janë aq të favorshme për punë dhe ekzekutimi i pagës bëhet me shumë vonesë.

“Unë punoj që 12 vite në minierën e Trepçës. Pagat nuk janë edhe aq të mira, që 12 vite punoj vetëm tri vite e kam marrë si duhet pa u ndal. Ne po punojmë mjaft prodhim po ka mjaftë, se çfarë është në pyetje nuk e di”.

Kuzhinieri, i cili punon në mensën e minierës, shprehet se ushqimi këtu është mjaftë i mirë dhe i shijshëm, ku minatorët çdo ditë mund të ushqehen me shujta të ndryshme.

“Këtu punojnë tri ndërrime, ndërrimi i parë dhe i dytë vijnë diku deri 140 punëtorë, hanë në të dy ndërrimet, ndërrimi i tretë pak më i dobët. Përgatisim ushqim duke filluar nga pulat, gjella të ndryshme, mantia, pite, flija, gullash, pasull, oriz, si të gjitha mensat tjera të punëtorëve në Kosovë.

“Punëtoret gjatë tetë orëve punë e kanë vetëm një shujtë. Kjo shujtë përmban gullash me mish, pasul me mish të gjitha shujtat janë më mish”.

Drejtuesi i detyrës së drejtorit në minierën e Stantërgut me flotacion, Bujar Jashari, thotë se gjithsej numri i punëtorëve në këtë minierë është 723, ku sipas tij kushtet me të cilat përballen minatorët këtu janë brenda suazave të lejuara.

Ai gjithashtu pohon se pagat e punëtorëve janë të mira, përveç problemeve me ekzekutimin e tyre. /Edona Krasniqi/

Të ngjashme