Google ADS

Përmirësohet situata e krijuar nga moti i keq në Shqipëri, stuhia Ciaran solli përmbytje në disa zona, u plagos një polic

20:11 | 3 Nëntor 2023
K.B

Fuqia e stuhisë Ciaran që goditi Shqipërinë gjatë mesditës ra në orët e mbrëmjes.

Reshjet dhe era ishin më të dobëta, ndërsa uji u tërhoq nga rrugët dhe përrenjtë.

Kjo ishte pamja që të ofronte zona e Pallatit me Shigjeta në Tiranë në orët e mbrëmjes, ku siç edhe shihet Lumi i Lanës është tërhequr në shtratin e vetë.

Situata u qetësua edhe në rrethe, teksa në Durrës ka rifilluar gradualisht veprimtaria në terminalet portuale.

Moti u normalizua edhe në Shkodër, ku reshjet e shiut dhe era e fortë u ndërprenë që në orët e pasdites.

Stuhia godit vendin tonë rreth mesditës, teksa zona më e prekur ishte ajo e Shqipërisë së mesme, ku Tirana dhe Durrësi morën edhe sasinë më të madhe të reshjeve të shiut.

Si pasojë e shiut me intensitet të lartë shumë rrugë në kryeqytet u mbuluan nga uji, ndërsa qarkullimi i automjeteve u vështirësua.

Prurjet e mëdha bën që Lumi Lana të dalë nga shtrati në afërsi të Pallatit me Shigjeta duke shkaktuar përmbytje të Unazës.

Situatë e vështirë ishte edhe në Unazën e Madhe, ku në afërsi të Kopshtit Botanik niveli i ujit në rrugë arriti në disa centimetra duke vështirësuar kalimin e makinave.

Si pasojë e shiut dhe erës së fortë në afërsi të Pallatit me Shigjeta u shkëput një objekt, i cili dëmtoi në kokë një 37-vjeçar, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore.

Një pemë u thye në afërsi të zonës së Kinostudios tek Rruga Ura, duke bllokuar qarkullimin.

Në qytetin e Durrësit për shkak të motit të keq disa rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësoret dhe automjetet.

Më problematike situata ishte në lagjet pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe në rrugën që lidh shëtitoren Taulantia me pjesën tjetër të qytetit.

Ne port për shkak të erës së fortë u ndërprerë puna në sektorin e ngarkim shkarkimit të mallrave, si dhe u urdhërua ndalimi i lundrimit për mjetet e vogla lundruese e pashkarexhat.

Lundrimi u ndërpre edhe në portin e Vlorës për shkak të resës së fortë.

Stuhia e fortë e erës solli dëme edhe në Shkodër. Një pemë u rrezua në qendër të qytetit duke dëmtuar mjetet e parkuara./Tv Klan

Të ngjashme