Google ADS

Rrugëtimi i dhimbshëm i familjes së vajzës së vrarë nga Hamasi

16:20 | 3 Nëntor 2023
E.K

Për familjet e viktimave të sulmit të Hamasit, pritja e dhimbshme për identifikimin e trupave të të dashurve të tyre nuk ka mbaruar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, vizitoi familjen e viktimës Shani Louk. Ata morën këtë javë konfirmimin për vdekjen e vajzës.

22-vjeçarja Shani Louk u bë simbol i mizorisë së Hamasit.

Ajo është një ndër 260 personat e vrarë nga militantët e Hamasit që sulmuan një festival muzikor në Izraelin jugor më 7 tetor.

Babai i Shanisë, Nissim Louk, thotë se familja e saj pikasi tatuazhet në trupin e një gruaje pa ndjenja mbi një kamion plot me burra të armatosur.

“Vajza ime, Shani, është një vajzë e bukur, dhe shumica e njerëzve e panë në një moment të tmerrshëm. E kishin hedhur mbi një kamion dhe po e çonin në Gazë. Dhe që atëherë, sigurisht nuk patëm asnjë të dhënë se ku gjendej trupi i saj. Por morëm konfirmim të plotë se ka vdekur dhe se ishte qëlluar në vendin ku po bëhej festa”, tregon babai i saj.

Nissim Louk thotë se familja nuk e dinte se Shania kishte shkuar në festivalin e muzikës atë ditë.

“Isha i sigurtë se do ishte në Tel Aviv, në apartamentin e saj. Kështu që i telefonuam që t’i thonim të futej në vendstrehim, pasi e dinim që flinte shumë në mëngjes. Donim t’i thonim që të strehohej për shkak se kishte raketa që binin gjithandej. Pastaj na u përgjigj: “Jemi tek festa në jug, pranë Gazës, dhe do shkojmë drejt Tel Avivit pasi këtu është rrëmujë”,” tregon ai.

Megjithëse panë videon ku familja mendoi se shfaqej vajza e tyre, ata e ruajtën shpresën pasi morën një mesazh nga një aktivist në Gazë se Shania gjendej në një spital.

Këtë javë, familja mori konfirmim për vdekjen e saj nga një ekip mjekoligjor që ekzaminoi një pjesë nga kafka e saj.

“Është shumë e vështirë të dimë se vajzën tonë të dashur e vranë dhe se ndoshta as nuk do t’ia shohim trupin ndonjëherë. Por, nga ana tjetër është një lehtësim, pasi e dimë se vdiq dhe nuk vuajti shumë. Dhe se nuk gjendet në tunelet e nëndheshëm të Hamasit”, thotë babai i saj.

Në bazën izraelite ku punon ekipi i ekspertëve mjekoligjorë, vazhdojnë të mbërrijnë trupat e viktimave, shumë prej tyre të gjymtuar dhe të vështirë për t’u identifikuar.

“Kemi parë shenja abuzimi. Kemi parë trupa me kokë të prerë. Kemi parë trupa që u janë prerë gjymtyrët. Kemi parë trupa që u janë vënë pranga. Kemi parë trupa që janë djegur. Mendoj se mjaftojnë për të thënë se këto nuk janë ato që shikon normalisht në një skenë krimi”, thotë Dr. Michael Levin Elad, drejtuese në Institutin e Mjekësisë Ligjore, të Policisë Kombëtare Izraelite.

Në shtëpinë e familjes Louk, vijnë për t’i ngushëlluar të afërmit e viktimave të tjera, si babai i një rezervisti të vrarë në Kfar Aza.

Nissim Louk thotë se Izraeli dëshiron paqe, por se Hamasi duhet të paguajë për ato që bëri.

Ndërkohë, zonja Elad thotë se misioni kryesor i ekipit mjekoligjor është të ndihmojë familjet, si familjen Louk, që të mësojnë se çfarë u ndodhi njerëzve të tyre të dashur./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme