Rama: Varrezave të kryeqytetit po u kthehet dinjiteti

16:28 | 2 Nëntor 2023
E.G

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se varrezave të Kryeqytetit po u kthehet dinjiteti.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama tha se së shpejti do të rregullohet në tërësi lokacioni i varrezave të vjetra, shkruan Arbresh.info.

“Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave bashkë me Ndërmarrja Publike Banesore, NPL „Gjelbër” sh.a dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike po e trajtojnë me kujdes hapësirën te varrezat e reja, dhe së shpejti do ta rregullojnë në tërësi lokacionin e varrezave të vjetra, duke e shndërruar në një vend dinjitoz prehjeje për ata që nuk jetojnë më, por edhe për qytetarët që vizitojnë të afërmit e tyre të ndjerë.”, ka shkruar Rama.

Ndër të tjera, i pari i Prishtinës bëri të ditur se nënkryetarja, Donjeta Sahatçiu, ka filluar me përgatitjet për digjitalizimin e hapësirës kadastrale për të përcaktuar seksionet dhe kuadrantet që do të mundësojnë identifikimin e varreve dhe lehtësinë e rezervimit të hapësirave sipas nevojës.

“Detyra jonë është jo vetëm të kujdesemi për të gjallët por edhe për ata që kanë qenë pjesë e së kaluarës sonë e të cilët meritojnë të njejtin shërbim dhe respekt.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme