Me pranga në duar, Mark Frroku del sot para Gjykatës

12:48 | 2 Nëntor 2023
K.B

Ish-deputeti Mark Frroku së bashku me 7 të arrestuarit e tjerë para disa ditësh do të dalin sot para Gjykatës, ku tashmë kanë mbërritur në ambientet e institucionit të lartë.

Tetë persona u arrestuan nga policia e Durrësit dhe një tjetër u shpall në kërkim për përplasjen e dhunshme për pronën tek Kepi i Rodonit më datë 30 tetor.

Konkretisht në pranga ranë, Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasit Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ata ishin shoqëruar në vendin e konfliktit, por më pas ndaj tyre u mor masa e arrestit.

Konflikti i pronës tek Kepi i Rodonit ka nisur një vit më parë, kur Kisha Franceskane përmes kompanive private nisi punimet për rrethimin e tokës që e pretendon me çertifikatë pronësie.

Punimet u kundërshtuan nga banori i zonës, Bajram Kaçuli që pretendon se ka edhe ai çertifikatë pronësie për të njëjtën zonë duke akuzuar palën tjetër për falsifikim. Çështja e dokumentacionit të pronës ndodhet në SPAK./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme