Delegatët nga 28 shtete, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, u pajtuan që të punojnë së bashku që t’i frenojnë rreziqet potencialisht “katastrofale” që paraqesin përparimet në inteligjencën artificiale.
Samiti i parë për mbrojtje nga inteligjenca artificiale u mbajt në Londër. Samiti u fokusua në avancimet, që disa shkencëtarë thanë se mund të paraqesin rrezik për vetë ekzistencën e njerëzimit.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se deklarata ishte “një arritje e madhe ku fuqitë më të mëdha të botës, sa i përket inteligjencës artificiale, u pajtuan për urgjencën për t’i kuptuar rreziqet e inteligjencës artificiale dhe për të ndihmuar në punën në terma afatgjatë”.
Por, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Britanisë dhe shteteve të tjera që të veprojnë më shumë dhe më shpejt, duke theksuar se ndryshimet në inteligjencën artificiale veçse kanë sjellë nevojën që kompanitë e teknologjisë të mbahen përgjegjëse, përfshirë edhe përmes legjislacionit.
Gjatë fjalimit në Ambasadën amerikane, Harris tha se bota ka nevojë të nisë së vepruari dhe të adresojë “të gjithë spektrin” e rreziqeve që dalin nga inteligjenca artificiale, jo vetëm për kërcënimet ekzistenciale, sikurse sulmet masive kibernetike të kryera nga teknologjitë e inteligjencës artificiale.
“Ka edhe kërcënime të tjera që kërkojnë që ne të veprojmë, kërcënime që aktualisht po u shkaktojnë dëme shumë njerëzve dhe këto kërcënime kanë filluar të ndihen si ekzistenciale”, tha ajo, duke përmendur rastin e një qytetari që u largua nga plani i tij për përkujdesje shëndetësore për shkak të një problemi në algoritmin e inteligjencës artificiale.
Por, ky samit është krijuar nga Sunaku, i cili dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të jetë një qendër për inovacione dhe e ka krijuar këtë samit për të nisur diskutimet lidhur me sigurinë e zhvillimeve të inteligjencës artificiale.
Harris pritet të marrë pjesë në samit gjatë së enjtes, duke iu bashkuar zyrtarëve qeveritarë nga dhjetëra shtete të botës, përfshirë nga Kanadaja, Franca, Gjermania, India, Japonia, Arabia Saudite dhe Kina, që janë ftuar në samit.
Nënshkrimi i marrëveshjes, e njohur si Deklarata e Bletchleyt, po konsiderohet arritje, edhe pse ajo nuk propozon ndonjë mënyrë se si do të rregullohej çështja e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Shtetet janë zotuar se do të punojnë drejt “marrëveshjeve dhe përgjegjësive të përbashkëta” lidhur me rreziqet e inteligjencës artificiale. Pas gjashtë muajsh, Koreja e Jugut po ashtu do të mbajë një samit virtual për inteligjencën artificiale, ndërkaq pas një viti do të mbahet një samit në Francë.
Zëvendësministri kinez për Shkencë dhe Teknologji, Wu Zhaohui, tha se teknologjia e inteligjencës artificiale është “e pasigurt, e pashpjegueshme dhe ka mungesë të transparencës”.
“Ajo sjell rreziqe dhe sfida sa i përket etikës, sigurisë, privatësisë dhe drejtësisë.
Kompleksiteti i saj po rritet”, tha ai, përderisa shtoi se muajin e kaluar Kina ka lansuar Iniciativën Globale për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale.
“Ne bëjmë thirrje për bashkëpunim botëror për të ndarë njohuritë në mënyrë që teknologjitë e inteligjencës artificiale të jenë të dhëna publike”, tha ai.
Edhe shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, pritet të diskutojë për inteligjencën artificiale. Ai më herët gjatë vitit nënshkroi një deklaratë, e cila alarmonte për rreziqet që inteligjenca artificiale paraqet për njerëzimin.
Javën e kaluar, kryeministri britanik tha se vetëm qeveritë e jo kompanitë mund të ofrojnë siguri nga rreziqet e inteligjencës artificiale. Ai, po ashtu, kërkoi që shpejt të hartohen rregullatorë për teknologjitë e inteligjencës artificiale./rel
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...