Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, tha të mërkurën se kishte rol shumë të vogël në financat e kompanisë së familjes Trump gjatë dëshmisë së tij në gjyqin ku ish-presidenti Trump akuzohet për mashtrim financiar.
Trump dhe kompania e tij akuzohen se i kishin fryrë vlerat e aseteve të kompanisë për të siguruar hua të favorshme nga bankat.
Donald Jr., zëvendëspresident ekzekutiv në Trump Organization dhe i pandehur në rastin e mashtrimit financiar, është fëmija i parë nga fëmijët e rritur të Trumpit që dëshmon. Pas tij do të dëshmojnë edhe Ericc dhe Ivanka Trump.
Babai i tyre do të dëshmojë të hënën.
Donald Jr. tha se ai dhe Ericu e morën në dorë menaxhimin e kompanisë kryesisht kur babai i tyre u zgjodh president në vitin 2017. Por, ai tha se ishte përfshirë shumë pak në çështjet financiare të cilat janë në qendër të këtij rasti.
Prokurorja e Nju Jorkut Letitia James ngriti padi civile ndaj Trumpit, dy djemve të tij për fryrjen e aseteve miliarda herë më shumë seç vlenin, në mënyrë që të siguronin hua më të mira.
Prokurorja James kërkon ndëshkime në vlerë 250 milionë për Trumpin dhe përjashtimin e tij dhe djemve të tij nga udhëheqja e perandorisë familjare të biznesit.
Ky rast është vetëm njëri nga disa sfidat gjyqësore me të cilat po përballet Trumpi, i cili po i prin garës së republikanëve për kandidat për president të SHBA-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Trumpi do të dalë para gjykatës federale në Uashington më 4 mars 2024, nën akuzat se kishte tentuar ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.
Ai do të kthehet pastaj në gjykatën e Nju Jorkut, këtë herë për t’u përballur me akuzat se e kishte paguar një yll të pornografisë për të heshtur, dhe më pas në gjykatën federale të Floridës, ku akuzohet se i kishte keqpërdorur dokumentet e klasifikuara pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Dhe në fund, Trumpi do të përballet me akuza për përpjekjet e tij për ta kthyer në favorin e vet rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...