Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, hapën sot zyrtarisht punimet e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.
Ky samit dyditësh shënon një ngjarje të rëndësishme vjetore që bashkon palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, për të ndarë më së miri praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Këtë vit, me moton “Unitet në diversitet”, Samiti nuk do të fokusohet vetëm në sfidat, por edhe në histori suksesi e praktika të mira, qofshin ato të institucioneve apo komuniteteve. Përveç bashkimit të ekspertëve, liderëve dhe aktivistëve për të diskutuar dhe zhvilluar strategji efektive për luftimin e diskriminimit racor në të gjitha format e tij, Samiti ofron platformë për ndarjen e historive dhe përvojave të njerëzve të prekur nga diskriminimi racor.
Në fjalët e tij të hapjes, Kryeministri Kurti ka theksuar se shtetet përfitojnë nga diversiteti etnik, dhe se sot jemi këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Duke veçuar secilën arritje që ka kontribuar në luftimin e pabarazisë dhe diskriminimit, kryeministri tha se ne jemi këtu sot dhe do të flasim nesër e çdo ditë për rrugën tonë të përbashkët.
Ndërkaq Presidentja Osmani ka deklaruar se ndihet e nderuar të jetë në hapjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor të cilin e konsideroi një platformë të duhur për ta ngritur zërin tonë kundër diskriminimit të çfarëdo lloji, por në të njëjtën kohë edhe për ta riforcuar përkushtimin tonë institucional kundër diskriminimit racor në veçanti.
Pjesë e ceremonisë së hapjes ishte edhe një ekspozitë pikturash me autorë nga komunitetet rom, ashkali e egjiptianë, si dhe të fëmijëve të Qendrës Ditore për Fëmijë në Situatë rruge.
Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor do të vazhdojë nesër me pesë sesione, që ndër të tjerash do të shqyrtojnë; Buxhetimin e përgjegjshëm për romët, Praktikat e mira dhe sfidat ne dy nivelet e qeverisjes, Mekanizmat institucionalë për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor, Njohuritë digjitale, Ekzaminimin e pengesave ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Histori suksesi dhe praktikat më të mira në luftën kundër diskriminimit racor – Përvoja nga Ballkani Perëndimor, si dhe Shërbimet e bazuara në komunitet.
Samiti organizohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo-Diskriminim në kuadër të Zyrës së Kryeminisitrit, mbështetur prej konsorciumit të përbërë nga VoRAE, HEKS, Terre des Hommes Kosovë, me fonde të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC).
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...