Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, hapën sot zyrtarisht punimet e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.
Ky samit dyditësh shënon një ngjarje të rëndësishme vjetore që bashkon palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, për të ndarë më së miri praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përcjell Arbresh.info.
Këtë vit, me moton “Unitet në diversitet”, Samiti nuk do të fokusohet vetëm në sfidat, por edhe në histori suksesi e praktika të mira, qofshin ato të institucioneve apo komuniteteve. Përveç bashkimit të ekspertëve, liderëve dhe aktivistëve për të diskutuar dhe zhvilluar strategji efektive për luftimin e diskriminimit racor në të gjitha format e tij, Samiti ofron platformë për ndarjen e historive dhe përvojave të njerëzve të prekur nga diskriminimi racor.
Në fjalët e tij të hapjes, Kryeministri Kurti ka theksuar se shtetet përfitojnë nga diversiteti etnik, dhe se sot jemi këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Duke veçuar secilën arritje që ka kontribuar në luftimin e pabarazisë dhe diskriminimit, kryeministri tha se ne jemi këtu sot dhe do të flasim nesër e çdo ditë për rrugën tonë të përbashkët.
Ndërkaq Presidentja Osmani ka deklaruar se ndihet e nderuar të jetë në hapjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor të cilin e konsideroi një platformë të duhur për ta ngritur zërin tonë kundër diskriminimit të çfarëdo lloji, por në të njëjtën kohë edhe për ta riforcuar përkushtimin tonë institucional kundër diskriminimit racor në veçanti.
Pjesë e ceremonisë së hapjes ishte edhe një ekspozitë pikturash me autorë nga komunitetet rom, ashkali e egjiptianë, si dhe të fëmijëve të Qendrës Ditore për Fëmijë në Situatë rruge.
Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor do të vazhdojë nesër me pesë sesione, që ndër të tjerash do të shqyrtojnë; Buxhetimin e përgjegjshëm për romët, Praktikat e mira dhe sfidat ne dy nivelet e qeverisjes, Mekanizmat institucionalë për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor, Njohuritë digjitale, Ekzaminimin e pengesave ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Histori suksesi dhe praktikat më të mira në luftën kundër diskriminimit racor – Përvoja nga Ballkani Perëndimor, si dhe Shërbimet e bazuara në komunitet.
Samiti organizohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo-Diskriminim në kuadër të Zyrës së Kryeminisitrit, mbështetur prej konsorciumit të përbërë nga VoRAE, HEKS, Terre des Hommes Kosovë, me fonde të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC).
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Slogani “Unitet në diversitet” është gjithsesi i qëlluar sepse thotë që diversiteti është gjendja, ndërkaq uniteti është synimi. Por ky synim, pra uniteti, nuk është një i tillë që e mohon ose e shpërfill gjendjen, diversitetin, por përkundrazi që e forcon edhe e lartëson atë.
E nderuara Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Christoph Fuchs, Ushtrues i detyrës, Ambasador i Zvicrës në Kosovë,
I nderuari z. Isak Skenderi, Drejtor ekzekutiv, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve,
E nderuara znj. Ljatifa Sikovska, Deputete e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut,
I nderuari z. Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mosdiskriminim,
Të nderuar përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Sllovenia,
Është kënaqësi të ju mirëpresim këtu në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës, me qëllimin e përbashkët për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor.
Shtetet tona përfitojnë nga diversiteti etnik. Po ashtu, në shtetet tona e kemi parë se si degradojnë shoqëritë dhe shtetet ku nuk ka luftim të diskriminimit. Andaj ne jemi sot këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Pabarazia dhe diskriminimi shfaqen në forma të ndryshme. Gjatë Muajit të Rinisë në gusht në panairin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku u prezantuan produktet punëdore të bukura dhe kreative nga një ndërmarrëse e re egjiptiase. Ajo më tha që nuk ka pasur mbështetje që ta mbaroj shkollën fillore dhe askush nuk reagoi kur ajo e braktisi shkollën: kjo është pabarazi. Është e papranueshme, është e padurueshme.
Kur isha në vizitë tek aktivistët e komunitetit ashkali në Fushë Kosovë, ata më treguan se si e kanë përjetuar refuzimin e shërbimeve nga transporti urban: edhe ky është një diskriminim i patolerueshëm në shoqërinë tonë.
Një nga aktoret e talentuara rome që pashë në një shfaqje në Prizren, më tregoi se si ndihej e pasigurt kur përdoreshin terma pezhorativ për komunitetin e saj: edhe ky është gjithashtu diskriminim, gjithnjë i papranueshëm, i padurueshëm.
Të rinjtë nga komunitetet, që janë pjesë e iniciativës së qeverisë “Kosova Generation Unlimited” për praktikë me pagesë, më kanë treguar se sa e vështirë është që të gjejnë punë, që të gjejnë një punë.
Për të luftuar këto dhe forma tjera të pabarazisë dhe diskriminimit, ne jemi këtu sot dhe do të flasim nesër e çdo ditë. Për të mbështetur shkollimin, kemi investuar 200 mijë euro si Qeveri në qendra mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe po ofrojmë 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme. Pra, duhet të flasim sot, nesër, për çdo ditë, por edhe të veprojmë e të dëshmohemi me mbështetje praktike, konkrete, materiale, financiare. Gjithashtu kemi ndarë fonde për 100 bursa edhe për studentët e këtyre komuniteteve në fakultet. Ne kemi investuar fonde në shërbimet e ofruara nga OJQ-të për fëmijët më të ndjeshëm, si dhe një qasje të re në qendrat e punës sociale.
Për regjistrim dhe ndjekje penale, aty ku është e përshtatshme, për gjuhë të urrejtjes apo refuzim të shërbimeve, e kemi krijuar platformën “Raportodiskiriminim.org”, nga e cila përcjellen rastet në gjykatë dhe ne institucionet tjera përkatëse.
Për mbështetjen e Zyrës së Komisionerit për Gjuhë dhe rolin e saj të domosdoshëm, jemi zotuar se do të dyfishojmë buxhetin për vitin e ardhshëm në mënyrë që ketë ta sjellim në një pikë kur kemi më shumë fonde për OJQ-të të cilat punojnë në mbrojtjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës.
Ministria për Komunitete dhe Kthim këtë vit ka ndarë mjete për banesa të reja për 19 familje të komuniteteve dhe materiale ndërtimi për 102 familje të tjera, mes tyre një mbipërfaqësim për komunitetin rom, egjiptian dhe ashkali. Gjithashtu, Ministria për Administrim të Pushtetit Lokal ka ndarë 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë (duke përfshirë romët, ashkalitë dhe egjiptianët) dhe 1 milionë euro për renovimin e shtëpive të komuniteteve. Qeveria këtë muaj ka ndarë mjete për shtëpi për 210 familje, në mesin e tyre nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Pra, ne dëshirojmë që të përmirësohet pozita, gjendja e të gjitha këtyre komuniteteve të cilat janë përgjithësisht të margjinalizuara në Kosovën tonë të dashur për të gjithë, jo vetëm me vende pune, jo vetëm me arsim e edukim, jo vetëm me liri në sferën publike, por gjithashtu edhe me kushte të mira të jetesës e të banimit.
Për punësimin e komuniteteve kemi krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Në vitin 2022, e kemi trefishuar numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë trajnuar në Qendrat tona të Aftësimit Profesional, dhe 35 biznese fillestare nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë marrë grante nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. E në këtë vit, edhe 35 biznese e fermerë nga këto komunitete kanë marrë grante. Ne kemi bashkëpunuar me policinë për ta siguruar rekrutimin më të madh të këtyre komuniteteve në raundin e fundit dhe po organizojmë Ditë të Hapura në nëntor, për të inkurajuar të rinjtë nga komunitetet jo shumicë për të pasur punë dhe karrierë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe në agjencitë e sigurisë. Me këtë rast, ne shtrijmë dorën jo vetëm të bashkëpunimit, por edhe të mirëbesimit e besimit. Ne komunitetet nuk i duam vetëm në punët private, po edhe në detyrat më të rëndësishme shtetërore.
Ka ende shumë për të bërë punë së bashku, por ky rrugëtim lehtësohet me bashkëpunëtorë dhe me bashkudhëtarë si ju, në udhën tonë pra të përbashkët në të cilën jemi të gjithë, e për këtë njëmend mund të frymëzohemi edhe nga kënga “Gjelem gjelem” me kuptimin e saj për një udhëtim “në rrugë të gjatë” ku takojmë udhëtarë të lumtur.
Na priftë e mbara të gjithëve në këtë rrugë e ju uroj samit të suksesshëm.
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...