Gjykata e Lartë në Bjello Pole ka liruar nga paraburgimi shtetasin serb, Zhivko Vuksanoviq, 62 vjeç, ekstradimin e të cilit e ka kërkuar Kosova, pasi dyshohet për krime lufte. Po ashtu, edhe një tjetër i dyshuar, që po kërkohet nga Kosova, është liruar nga autoritetet në Mal të Zi.
Lirimi i Vuksanoviqit nga paraburgimi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.
Vuksanoviq gjendej në paraburgim prej 1 tetorit, në pritje të vendimit për ekstradimin ose jo të tij në Kosovë.
Edhe pse Gjykata e Lartë më 27 tetor vendosi për ekstradimin e Vuksanoviqit në Kosovë, po atë ditë, ish-ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, refuzoi kërkesën për ekstradim.
Gazeta në Podgoricë, Pobjeda, tha se Kovaç e arsyetoi vendimin e tij me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike”, duke argumentuar se ishte shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.
Pas marrjes së vendimit më 31 tetor, Gjykata e Lartë e liroi Vuksanoviqin, i cili qëndroi në paraburgim ekstradues për një muaj.
Ky ishte vendimi i dytë i tillë i ish-ministrit Kovaç në një periudhë shtatëditore, pasi më 26 tetor ai refuzoi edhe ekstradimin e Momçilo Vukotiqit, 61 vjeç, në Kosovë. Ekstradimi i tij ishte kërkuar për shkak se ai dyshohet për krime lufte në territorin e Pejës më 1999, konfirmuan për REL-in nga Ministria e Drejtësisë.
Dhe më pas, Kovaç iu referua Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kovaç i mori këto vendime në javën e fundit të mandatit të tij në Qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviq, mandat që përfundoi me zgjedhjen e Qeverisë së Millojko Spajiqit më 31 tetor 2023.
Vukotiq u arrestua në Mal të Zi më 25 shtator me urdhër të INTERPOL-it të lëshuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), bazuar në memorandumin e mirëkuptimit midis INTERPOL-it dhe UNMIK-ut më 2002, që synon shkëmbimin e informacioneve, urdhërarrestimeve, hetimeve ndërkombëtare dhe çështjeve penale.
Para arrestimit të tij, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-serb të përbërë së fundi, Millan Knetheviq, i bëri thirrje Qeverisë së atëhershme teknike të Abazoviqit që të mos përfshihet në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të zhvendosur nga Kosova.
Vukotiq po ashtu është liruar nga paraburgimi, konfirmoi Gjykata e Lartë për REL-in.
Shtetasi i Kosovës, Ilir Bershia, 48 vjeç, i cili u arrestua në Mal të Zi në fillim të tetorit, është në pritje për vendimin për ekstradim në Kosovë dhe gjendet në paraburgim.
Ai u arrestua me urdhër të UNMIK-ut dhe INTERPOL-it nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë në vitin 1999. Gjykata e Lartë në Podgoricë ka caktuar ndaj tij derisa të merret vendimin lidhur me çështjen e ekstradimit.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.
Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...