Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.
“Po, është e vërtetë që e kanë dërgu edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, tha Grantolli.
Po ashtu, edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi tha se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.
“E di që është formu një grup që ka pas me i analizu qito çështjet e ngritura, është dërgu pastaj të gjeturat lidhur me këtë çështje dhe na kemi dhanë secili qëndrimin tonë. Mbledhje e veçantë nuk është mbajtë, se nëse ish mbajtë mbledhja ishit informu besoj, të gjitha mediat”, tha Gashi.
Kurse, Bekim Kupina, këshilltar për medie i Presidentes Osmani, tha se kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.
“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, konfirmoi Kupina.
Kujtojmë se Presidentja Vjosa Osmani më 17 tetor 2023, përmes një konference për medie njoftoi se e ka njoftuar KPK-në që duke u bazuar në shkeljet e evidentuara në proces, nuk mund ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokuriorial të Kosovës në lidhje me këtë vlerësim të procedurës, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon të mos bëj dekretimin e kandidatit të proopuar për Kryeprokuror të Shtetit, sipas propozimit të Këshilit Prokurorial”, kishte thënë Osmani.
Ndërsa, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus“, Osmani renditi shkeljet që janë evidentuar në këtë proces, kurse theksoi se për dekretimin e Kryeprokurorit ka pranuar edhe kërcënime.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim ishte në duart e presidentes Vjosa Osmani. Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.
Para vendimit të Presidentes, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë, ku ishte konstatuar se prokurori Shqipdon Fazliu pas afatit ligjor kishte kontestuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në gjykatat e rregullta.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...