Ambasadori amerikan në Sarajevë, Michael Murphy, paralajëmroi se “Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq ndërsa (presidenti i Republikës Serbe Milorad) Dodik dhe sejmenët e tij politikë përpiqen të copëtojnë strukturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, të destabilizojnë vendin dhe rajonin dhe të pengojnë përparimin e Bosnjës drejt Bashkimit Evropian”.
Reagimi i ambasadori Murphy pasoi deklaratat e Milorad Dodikut dhënë mediumit rus Sputnik, për krijimin e “një shteti të përbërë nga Serbia, Republika Serbe dhe Kosova, dhe nëse ka një vendim të tillë demokratik, edhe Mali i Zi”.
Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për qasje kundër serbëve.
Në një reagim më të gjatë, ambasadori Murphy shkroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të palëkundura në angazhimin e tyre ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës tërësisë së saj tokësore, sovranitetit dhe karakterit shumetnik të saj.
Duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë pro Bosnjës e Hercegovinës në mënyrë të vendosur, ambasadori Murphy shkroi se kjo pasqyrohet në investimin miliarda dollarësh gjatë 30 viteve të fundit.
“Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, megjithatë, është vetëm pro Dodik dhe ka pak respekt për këdo tjetër përfshirë qytetarët e këtij vendi dhe banorët e Republikës Serbe”, shkroi ai.
The U.S. will not stand by idly while Mr. Dodik and his political cronies attempt to tear apart the fabric of BiH, destabilize the country and the region, and impede BiH’s progress toward the EU. Read Ambassador Murphy’s statement here ⏬ #USAmbBiH https://t.co/bgpvgDF27Q
— US Embassy Sarajevo (@USEmbassySJJ) October 31, 2023
“Deklaratat e fundit të pamatura të zotit Dodik për përmbysjen e kufijve kombëtarë në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një shtet të bashkuar serb, e bëjnë të qartë këtë. Ato jo vetëm që janë destabilizuese për Bosnjën dhe Hercegovinën, por gjithashtu kërcënojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Ky përshkallëzim i fundit është në vazhdën e një fushate të vazhdueshme të retorikës dhe veprimeve destabilizuese që synojnë të dëmtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe shtetin e Bosnjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Murphy, në të cilin numërohen veprimet e udhëheqësit pro rus Milorad Dodik për bllokimin e qeverisjes në Bosnjë, kërcënimin e paqes dhe shantazhimin e udhëheqësve të tjerë politik sikurse edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ambasadori Murphy shkroi mes tjerash se në Republikën Serbe Milorad Dodiku po punon për t’u mohuar banorëve të drejtat dhe liritë e tyre themelore, si lirinë e a e shtypit, të fjalës dhe të tubimit, për të mbrojtur veten nga kritikat dhe përgjegjësia.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq ndërsa zoti Dodik dhe sejmenët e tij politikë përpiqen të copëtojnë strukturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, të destabilizojnë vendin dhe rajonin dhe të pengojnë përparimin e Bosnjës drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin, tërësinë tokësore dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarëve dhe institucioneve të këtij vendi dhe të kërkojmë llogari nga ata që janë të korruptuar ose që merren me aktivitete destabilizuese, kundër Dejtonit”, shkroi ambasadori Murphy.
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë përfshirë presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik dhe anëtarët e familjes së tij “për veprimtari korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.
Milorad Dodik, i cili gëzon mbështetjen e Moskës, është kërcënuar vazhdimisht me shkëputjen e Republikës Serbe duke sfiduar angazhimet perëndimore për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor, mes shqetësimeve se Kremlini mund të nxisë trazira në rajon për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni rus në Ukrainë.
Milorad Dodiku është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe por jo edhe nga Bashkimi Evropian, i cili nuk pati një reagim të menjëhershëm as ndaj deklaratave të fundit të tij, të cilat nxitën reagimin e presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç i cili i dënoi ato.
Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh “i befasuar me mungesën e reagimit të partnerëve në BE” deri tani, duke shfaqur shpresën se “heshtja do të thyhet sa më parë që është e mundur”./voa/
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...