Google ADS

Sindikalistët e Trepçës: Jeta e minatorëve është në rrezik

13:21 | 31 Tetor 2023
E.K

Sindikalistët e Trepçës dhe tetë përfaqësues të ndërmarrjes po mbajnë takimin me anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka thënë se jeta e minatorëve është duke u rrezikuar.

“Po hymë në ditën e tetë të grevës. Jeta e minatorëve është duke u rrezikuar. Kemi shumë persona që kanë kërkuar ndihmë. Kjo duhet të shkojë përtej politikës sepse është obligim i juaji dhe i joni që të bëhet një zgjidhje. Kërkesat tona janë ato tri dhe nuk kanë ndryshuar. Këto kërkesa janë stoike dhe minatorët janë të palëkundur. Edhe një herë ju bëj thirrje që sot të dalim me një zgjedhje”, tha Jonuzi.

Kurse ish-anëtari i Kryesisë së Sindikatës së “Trepçës”, Gani Osmani, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kërkoi që të ndërmerren masa për të gjetur një zgjidhje.

“Besën po ua jap te vdekur keni me i nxjerr, po e dëgjoni një person qe s’ ia do të mirën shtetit. 300 mace me kanë poshtë për 8 u dashtë me ndërmarr diçka”, tha Osmani.

Tutje Osmani shtoi se ata kanë paralajmëruar se pakënaqësitë e punëtorëve mund të sjellin greva, kurse sipas tij, kryeshefi ekzekutiv ju ka thënë se e lajmëron prokurorin dhe të na pushojë nga puna.

“Ne i kemi thënë se jemi 200 vetë, ai ka thënë se 200 vetë unë ju qes prej pune. Do të thotë kryeshefi e ka bërë “Trepçën” monarki”, tha Osmani, sipas të cilit, kryeshefi e ka dezinformuar Qeverinë, Ministrinë e Ekonomisë dhe bordin se në “Trepçë” nuk po punohet.

Ndërsa minatori, Sami Peci kur mori fjalën para deputetëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u emocionua shumë sa nuk mundi t’i mbajë lotët duke treguar për gjendjen e rëndë të minatorëve.

“Ejani sa më shpejtë sepse minutat janë në pyetje jo orët, të jeni të besueshëm, hajdeni me ne, do të shkojmë drejtë t’i shohim minatorët. Ju kisha lutur që me ne e pa ne, shkoni zgjidheni çështjen sa më shpejt se situata është shumë e rënduar”, tha minatori Peci./rtk

Të ngjashme