Konsumatorët i kanë borxh Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” 45 milionë euro borxhe, ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj ndërmarrje Arjeta Mjeku. Ajo ka sqaruar se 40 milionë euro janë borxh i sektorit të amvisërisë dhe 5 milionë nga sektori i bizneseve.
“Borxhi i konsumatorëve ndaj ‘KRU Prishtina’ është mjaftë i lartë është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe 5 milionë euro nga sektori i bizneseve. Dihet që këto 40 milionë euro janë nga një sektorë, i cili 80% e sasisë së ujit e shpenzon pra amvisëria dhe borxhet janë mjaft të larta” tha ajo për eo.
Mjeku tha se është duke bërë inspektime në identifikim e kyçeve ilegale dhe identifikimin e personave që kanë borxhe të papaguara.
Madje tha se Zyra Ligjore po përgatit lëndë që të dërgohet te përmbaruesit, të gjithë ata që kanë borxhe mbi 100 euro.
“Nga muaji korrik jemi në terren me inspektorët tanë duke bërë inspektime në identifikimin e kyçeve ilegale dhe identifikim e personave që kanë borxhe të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit. Në të njëjtën kohe edhe Zyra Ligjore brenda kompanisë vazhdimisht është duke bërë përgatitje të lëndëve të konsumatorëve për të dërguar te përmbaruesit privat për ata konsumatorë që kanë borxh mbi 100 euro”.
Tutje shtoi se ka rritje të të hyrave në krahasim me vitet e kaluara, kur për nëntë muaj kanë inkasuar 2.5 milionë euro janë të hyra më shumë se sa vitin e kaluar.
“Inspektimet në zonën e shërbimit po vazhdojnë kemi rritje të hyrave në muajin korrik dhe gusht mirëpo nëse e krahasojmë nëntë mujorin e vitit 2022 me 9 mujorin të parë të vitit 2023, 2.5 milionë euro janë të hyra më shumë se sa vitin e kaluar falë aksioneve falë edhe asistencës së policisë së Kosovës dhe veçanërisht mediat elektronike dhe të shkruara që na ka ndihmuar në këtë proces sepse ata nuk po na ndihmojnë ne si kompani, por po e ndihmojnë konsumatorin e përgjegjshëm sepse duke e mbrojt konsumatorin e përgjegjshëm ne mund të ecim përpara”.