Google ADS

Mijëra njerëz hyjnë në magazinën e OKB-së në Gaza, marrin miell e gjëra të tjera për mbijetesë

12:37 | 29 Tetor 2023
E.H

Agjencia kryesore e OKB-së në Gaza ka paralajmëruar se rendi civil po prishet, duke thënë se “mijëra” njerëz kanë hyrë në disa nga magazinat e saj “duke marrë miell gruri dhe sende të tjera bazë mbijetese si furnizimet higjienike”.

Një nga magazinat në qytetin Deir al-Balah, në Gazën qendrore, është vendi ku Agjencia e OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ruan furnizimet nga autokolonat humanitare që vijnë nga Egjipti, tha agjencia në një deklaratë, shkruan CNN transmeton Arbresh.info.

“Kjo është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet pas tre javësh luftë dhe një rrethimi të ngushtë në Gaza. Njerëzit janë të frikësuar, të frustruar dhe të dëshpëruar”, tha Thomas White, drejtor i Çështjeve të UNRWA në Rripin e Gazës.

“Tensionet dhe frika përkeqësohen nga ndërprerjet në telefonat dhe linjat e komunikimit në internet. Ata mendojnë se janë vetëm, të shkëputur nga familjet e tyre brenda Gazës dhe pjesës tjetër të botës,” shtoi White.

Zhvendosja “masive” e njerëzve nga Gaza veriore në jug “ka vendosur presion të madh mbi ato komunitete, duke shtuar një barrë të mëtejshme për shërbimet publike të shkatërruara”, tha agjencia. Disa familje kanë marrë deri në 50 të afërm që janë strehuar në një familje, tha ai.

“Furnizimet në treg po mbarojnë ndërsa ndihmat humanitare që vijnë në Rripin e Gazës me kamionë nga Egjipti janë të pamjaftueshme. Nevojat e komuniteteve janë të mëdha, qoftë edhe vetëm për mbijetesë bazë, ndërsa ndihma që marrim është e pakët dhe jokonsistente, “tha White.

Pak më shumë se 80 kamionë me ndihma kanë kaluar në Gaza brenda një jave deri më tani, dhe të shtunën nuk kishte asnjë kolonë për shkak të ndërprerjes së komunikimit, tha agjencia.

“Sistemi aktual i autokolonave është i paraparë të dështojë. Shumë pak kamionë, procese të ngadalta, inspektime të rrepta, furnizime që nuk përputhen me kërkesat e UNRWA dhe organizatave të tjera të ndihmës, dhe kryesisht ndalimi i vazhdueshëm i karburantit, janë të gjitha një recetë për një sistem të dështuar”, tha White.

“Ne bëjmë thirrje për një linjë të rregullt dhe të qëndrueshme të furnizimeve humanitare në Rripin e Gazës për t’iu përgjigjur nevojave veçanërisht kur tensionet dhe frustrimet rriten, “shtoi ai.

Pas rivendosjes së shërbimeve të internetit, ekipet e UNRWA në Gaza “do të rivlerësojnë situatën me qëllim të rifillimit të autokolonave dhe shpërndarjes së ndihmës”, tha agjencia./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme