“Jam habitur nga të dëmtuarit”, Xavi para El Clasicos: Duan të luajnë të gjithë!

18:18 | 27 Tetor 2023
KRG

Barcelona pret në stadiumin Olimpik të Katalonjës, Real Madrid për të zhvilluar El Clasicon e parë të sezonit. Në radhët e blaugranave shqetësojnë lojtarët me probleme fizike si Lewandowski, Pedri apo De Jong.

Megjithatë, në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Xavi Hernandez theksoi se është befasuar nga reagimi i lojtarëve të dëmtuar që duket se po bëjnë të pamundurën për të qenë në fushë. Xavi theksoi se të gjithë kërkojnë ta luajnë El Clasicon ndërsa shtoi se ai do të marrë vendimet e duhura pasi nuk kërkon të rrezikojë askënd.

“El Clasico është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, të gjithë kërkojnë ta luajnë atë. Jam surprizuar kur kam parë që kanë ardhur në stërvitje lojtarë të cilët i konsideroja si mungesa për ndeshjen me Realin. Kam ndjesi shumë të mira për të gjithë, por listën nuk e kam ende gati. Do të më duhet të pres edhe stërvitjen e fundit.

Lewandowski? Nëse do të jetë mirë dhe do të ndihet mirë në stërvitjen e fundit, atëherë do ta kemi në skuadër, por nuk dua të nxitohem. Po ashtu edhe për Pedrin, nuk dua të rrezikoj dhe më pas lojtarët të pësojnë një tjetër dëmtim.

Në fushë do të zbresin ata që ndihen në formë optimale, nuk do të luaj askush nëse nuk ndihet mirë. Këto janë ndeshje ku lojtarët duhet të jenë në 100% dhe të bësh të kundërtën është mjaft e gabuar”, u shpreh Xavi.

Ndeshjen mes Barcelonës dhe Real Madrid mund ta ndiqni të dielën në SuperSport 2 duke nisur nga ora 16:15./ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme