Google ADS

Pesë minatorëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore, dërgohen në Emergjencë – greva vazhdon

14:31 | 27 Tetor 2023
E.K

Pesë minatorë të tjerë të Trepçës, të cilët kanë hyrë në grevë qe katër ditë në horizontet e minierës, janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Mitrovicës, pasi iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Përkundër kësaj minatorët e “Trepçës”, do të vazhdojnë grevën, lajmin e ka konfirmuar  kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

Ai ka përsëritur kërkesat e minatorëve e që janë realizimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit si dhe sigurim shëndetësor.

Jonuzi ka konfirmuar se kanë pasur takim me Bordin, por që nuk kanë gjetur zgjidhje.Ai u ka bërë thirrje të gjithë personave përgjegjësi që të marrin masa ngase po rrezikohet jeta e minatorëve.

“Mos realizimi i pagës mujore kushtet e punës dhe kemi kërkuar llogaridhënie për dorëheqjen e kryeshefit ekzekutiv si dhe sigurimin shëndetësore.

Po bëhet dita e katërt që jemi duke grevuar. Nga këtu tani i’u bëjë thirrje i’u them se dikush duhet të mbaj përgjithësi për jetën e njerëzve që janë atje”.

“Tani sa po vijmë nga një takim mbas katër ditësh me Bordin mbikëqyrës, ke shumë takim tendencioz shumë kërkues, shumë fyes ndaj neve ata ende nuk kanë gjetur vullnetin me i pa njerëzit, njerëz të sëmurë njerëz me vështirësi me frymëmarrje, kokë dhembje për shkak qëndrimit të gjatë, sepse nuk kanë vullnet nuk kanë ndjenja morale njerëzore”.

“Prandaj më nuk ka dialog. Minatorë kanë me qëndruar stoik, por gjendja shëndetësore është vetëm duke përkeqësuar. Greva do të vazhdojë”.

Ramadan Gjeloshi, minatorë që nga viti 1988, tha se po punojnë në kushte shumë të vështira.

Sipas tij, më parë pagat i kanë marrë deri në datën 10 të muajit.

“Prej datës 6 deri me 10 e kemi marrë pagën, por ky menaxher prej që është ardh kurrë nuk na e ka dhënë pagën e plotë. Marri çka është duke u bërë këtu”.

“Kushtet janë katastrofë, çdo ditë jemi duke i nxjerr nga miniera. Unë jam minator i vjetër, i vitit 1988. Sot jam i sëmurë. Dua të jem pjesë, por nuk mundem, sepse jam me probleme shëndetësore. Kushtet janë katastrofë.

Është shumë gjynah”.Ndërmarrja “Trepça” për muajin shtator iu ka mbetur borxh minatorëve më shumë se gjysmën e pagës bazë./eo

Të ngjashme