Google ADS

Mbrojtja kërkon që Salih Mustafa të shpallet i pafajshëm

15:38 | 26 Tetor 2023
K.B

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur seanca e parë e Apelit në çështjen e Salih Mustafës.

Me këtë rast, mbrojtja e tij ka kërkuar që Mustafa të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat të cilat rëndojnë mbi të.

“Mbrojtja kërkon shfuqizimin e dënimeve për akuzën një, tre dhe katër dhe kërkon që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Po ashtu që gjykata të kthejë çështjen për gjykim. Zotëri Mustafa dhe mbrojtja besojnë fuqimisht se gjykimi është i gabuar dhe dënimi i caktuar i gabuar. Edhe po të ishte shpallur fajtor apeluesi, në këtë rast dënimi i përcaktuar është i disproporcionuar dhe i ashpër”, tha avokati Julius Von Bone.

Sipas avokatit Von Bone, trupi gjykues nuk ka zbatuar standarde të drejta dhe të paanshme në vlerësimin e provave dhe dëshmitarëve.

“Trupi gjykues gaboi sepse nuk ka zbatuar standarde të drejta dhe të paanshme apo nuk zbatoi standardet që i kishte vetëcaktuar në vlerësimin e provës dhe dëshmitarëve të mbrojtjes dhe provave të cilat ishin në favor të mbrojtjes”, shtoi ai.

Në aktgjykimin e shpallur më 16 dhjetor 2022-ës, Mustafa ishte dënuar me 26 vite burgim./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme