Gjykata Komerciale, shkalla e parë të premten e kaluar ka marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, apo ndryshe rruga që mban emrin e Jim Xhemës.
E ky vendim ka bërë që ndërtimet e kësaj rruge të bllokohen deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate.
Ky vendim për masë të përkohshme, ka ngjallur reagime të mëdha, pasi ndërtimi i kësaj rruge veç se ka nisur nga muaji prill i këtij viti dhe shumica e punimeve janë kryer deri tash, raporton Arbresh.info.
Mirëpo, telenovela për “Rrugën A” ka nisur pikërisht nga prilli i këtij viti, kur kompania pjesëmarrëse në tenderin për ndërtimin e kësaj rruge, e cila nuk e ka fituar tenderin, ka bërë ankesë kundër vendimit të OBSH-së dhe ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar përkitazi me padinë e paditësit.
Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albenora Bekteshi, për Arbresh.info ka bërë të ditur se ankesa e kompanisë në fjalë është refuzuar dy herë radhazi nga Gjykata Komerciale e shkallës së parë, mirëpo është aprovuar nga e njëjta gjykatë në shkallën e dytë.
“Gjykata Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë, përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin e datë 24.04.2023, ka refuzuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit. Paditësi më 11.05.2023, ka paraqitur ankesë kundër aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë. Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale, me aktvendimin e datë 21.06.2023, ka aprovuar ankesën e paditësit në këtë rast, ndërsa ka kthyer në rivendosje lëndën në Dhomat e Shkallës së Parë”, tha Bekteshi.
Ani pse ky rast ishte kthyer në rivendosje me vendim të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, kërkesa e kompanisë pjesëmarrëse në tender për ndërtimin e kësaj rruge, përsëri ishte refuzuar si e pabazuar nga shkalla e parë në fund të muajit qershor të këtij viti.
“Dhoma e Shkallës së Parë me aktvendimin e datë 26.06.2023, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar përkitazi me padinë e paditësit. Më 07.07.2023, paditësi ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Dhomës së Shkallës së Parë”, bënë të ditur Bekteshi.
Por, “loja” dhe vendimet kundërthënëse mes shkallës së parë dhe asaj të dytë të Gjykatës Komerciale përfunduan, kur Dhoma e Shkallës së dytë e Komerciale përveç që e aprovoi ankesën e paditësit dhe ktheu në rigjykim dhe rivendosje rastin në shkallën e parë, mori vendim të gjyqtari i Dhomës së Shkallës së Parë që kishte shqyrtuar këtë rast të ndryshohet.
“Dhoma e Shkallës së Dytë, me aktvendimin e datë 02.10.2023, ka aprovuar si të bazuar ankesën e paditësit, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë, ndërsa ka urdhëruar Dhomën e Shkallës së Parë që procedurën e rishqyrtimit të kësaj çështje ta zhvillojë nga një gjyqtar tjetër i të njëjtës gjykatë. Dhoma e Shkallës së Parë, me aktvendimin e datë 17.10.2023, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e propozuesit të masës, dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, tha Bekteshi.
Se pse ka nisur ndërtimi i kësaj rruge, ani pse rasti ishte në proces gjyqësor dhe i papërfunduar, Bekteshi thotë se me këtë duhet të merret Prokuroria e Shtetit.
“Gjykata nuk ka mandat ligjor që të veprojë tutje lidhur me mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, Gjykata ende nuk ka vendosur në mënyrë meritore me këtë rast sa i përket padisë, por vetëm për masën e sigurisë.
Ky rast, thotë ajo do të trajtohet në kohën e duhur.
“Gjykata rastin do ta trajtojë në kohën e duhur, duke marrë për bazë trajtimin e lëndëve sipas kohës së dorëzimit të padisë dhe prioritetit ligjor, përkatësisht të gjitha lëndët e pranuara në Gjykatë do të vendosen bazuar në te lartshënuarat siç përcaktohet me Strategjinë për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, Efikasiteti dhe Prioritizimi i lëndëve brenda Sistemit Gjyqësor, po ashtu bazuar edhe respektimin e nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore Njoftim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, tha Bekteshi.
Ndryshe, në shkurt të këtij viti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në vizitë veprimtarin shqiptaro-amerikan, Jim Xhema. Për kontributin e tij për vendin, Komuna ka vendosur q (Rruga A) ta marrë emrin e tij ,“Jim Xhema”. Rama bashkë me shqiptaro-amerikanin, Jim Xhemën kishin bërë inspektimin dhe zbulimin e emërtimit të rrugës “Jim Xhema”.
Ndërkohë, punimet në rrugën “Jim Xhema, e njohur ndryshe si “Rruga A”, kanë nisur më 27 prill të këtij viti. Kjo rrugë është cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme në kryeqytet.
Ndërtimi i kësaj rruge sipas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ta lehtësonte komunikacionin në kryeqytet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në ceremoninë e fillimit të punimeve kishte thënë se punimet do zhvillohen njëkohësisht nga të dyja skajet e rrugës dhe kostoja e këtij projekti do është 8.4 milionë euro./Arbresh.info/
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...