Vdes ushtari italian i KFOR-it në aksidentin në Pejë

22:09 | 24 Tetor 2023
E.G

KFOR-i, ka konfirmuar se viktima e aksidentit në rrugën Prishtinë – Pejë është një ushtar italian.

Sipas njoftimit, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter drejt Spitalit Amerikan në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 i njëjti ka ndërruar jetë.

“Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”, thuhet në njoftim, transmeton Arbresh.info.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë”, thuhet tutje në komunikatë

Bëhet e ditur se Policia Ushtarake Ndërkombëtare në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.

“Aktualisht Policia Ushtarake Ndërkombëtare po heton në bashkëpunim shkakun e aksidentit me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare”, njofton KFOR-i./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme