Edhe dy muaj paraburgim për tre terroristët serbë

11:23 | 24 Tetor 2023
L G

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar masën e paraburgimit tre serbëve që dyshohet se janë përfshirë në sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit.

Në bazë të vendimit të gjykatës për vazhdimin e masës së paraburgimit, tre të dyshuarit: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq do të qëndrojnë në paraburgim të paktën edhe për dy muaj të tjerë.

 Lajmin e ka bërë të ditur për Arbresh.info zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, tha Gashi.


Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Ndryshe, në sulmin terrorist serb që ndodhi në Banjskë të Zveçani më 24 shtator të këtij viti, u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ndërkohë, gjatë përballjes së Policisë së Kosovës me terroristët serbë, tre prej tyre u vranë dhe tetë të tjerë u arrestuan .

Ndërsa me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pesë prej tyre u liruan në mungesë të provave, ndërsa tre prej tyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme