Google ADS

Britania: Shpërthimi në spital me gjasë u shkaktua nga një raketë e lëshuar nga Gaza

23:10 | 23 Tetor 2023
E.G

Qeveria britanike tha se ka ardhur në përfundim se shpërthimi shkatërrues në një spital në Gazë me gjasë është shkaktuar nga një raketë e lëshuar nga brenda territorit palestinez, e jo nga një sulm ajror izraelit.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, u tha ligjvënësve në Parlament se bazuar në vlerësimin e inteligjencës, “Qeveria britanike gjykon se shpërthimi me gjasë u shkaktua nga një raketë, që ishte lëshuar nga brenda Gazës drejt Izraelit”.

Ky përfundim përkon edhe me vlerësimet e zyrtarëve amerikanë dhe francezë lidhur me shpërthimin e 17 tetorit në spitalin Al-Ahli në Qytetin e Gazës.

Zyrtarët në Rripin e Gazës – që udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas – kanë fajësuar një sulm ajror izraelit dhe kanë thënë se si pasojë e shpërthimit janë vrarë pothuajse 500 persona. Ndërkaq, në një vlerësim të inteligjencës amerikane thuhet se mes 100 deri në 300 palestinezë ka gjasa që janë vrarë gjatë shpërthimit.

Militantët e Hamasit nisën sulme të koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli është kundërpërgjigjur me bombardime të vazhdueshme në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë.

Izraeli ka paralajmëruar një ofensivë tokësore në Gazë për të luftuar militantët e Hamasit. Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë afat se kur mund të ndodhë një sulm tokësor./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme