Google ADS

Dëshmitari thotë se me Pjetër Shalën janë takuar dy herë gjatë luftës

15:43 | 23 Tetor 2023
L G

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshmon përmes video-lidhjes dëshmitari i 4-të i mbrojtjes, Mark Shala në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Mark Shala, ka thënë se gjatë kohës së luftës janë takuar vetëm dy herë me Pjetër Shalën.

“Gjatë luftës jam takuar dy herë. Hera e parë ka qenë kur kemi ardhë në Kukës dhe jemi vendos aty. Dhe aty sipas informatave që kam pas ai ka qenë në qendrën stërvitore në Burrrel. Ai ka ardhë në Kukës dhe jemi takuar aty. Unë datën nuk e di saktësisht, por mund të ketë qenë në fillim të prillit. E kam takuar konkretisht në Uzinë, për çka ai ka qenë në një objekt tjetër diku në periferi të Kukësit. Ka ardhë për t’u takuar me mua dhe kemi bisedu, e kemi pirë nga një kafe”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se në këtë takim, Pjetër Shala i është lutur që t’i sigurojë armë që t’i bashkohet luftës.

“Nuk ka zgjatë më shumë se gjysmë ore. Kemi biseduar për rrjedhën, çka do të ndodhë, çka do të bëhet. Nuk e di se kur është kthy, se edhe ai është kthy nga perëndimi se edhe ai ka qenë në Belgjikë të familjarët e vet dhe ka ardhë në luftë në Kosovë. E di që më ka thënë që e ka mendjen të shkojë në vijën e parë të frontit. M’u është lutur që t’ia siguroj një armë dhe më ka thënë që nuk e ka ndërmend të kthehet pa u kry kjo luftë. Ja kam siguru armën dhe ai e ka marrë rrugën për vijë të frontit. Një armë të tipit Snajper, atë armë e ka nënshkru. Unë i kam dhënë urdhrin një oficeri e ka nënshkru numrin e vërtetimit, e ka marrë armën dhe ka ecë”, ka deklaruar dëshmitari Shala.

Ndërsa, herën e dytë, dëshmitari Shala ka bërë të ditur se me Pjetër Shalën është takuar në një kafe në Kukës. Dëshmitari ka thënë se me Pjetër Shalën janë të një fisi, mirëpo nuk kanë afërsi familjare.

Përveç skicës, dëshmitarit iu prezantuan edhe fotografi që sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë janë të uzinës në Kukës. Gjatë seancës atij i është kërkuar që të vendos numra në fotografi, në mënyrë që të bëjë përputhjen e tyre me skicën.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari Mark Shala, është pyetur nga mbrojtja e Pjetër Shalës, për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijajn dhe ish-deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadergjonajn.

Mbrojtja e Pjetër Shalës e ka pyetur dëshmitarin edhe se si bëhej trajtimi i personave të cilët ishin lënduar ose plagosur gjatë luftimeve.

“Çdo njësit të cilët kanë qenë në terren, e kanë pasur ekipin mjekësor të cilët janë kujdesur për ushtar dhe ushtarak dhe atë ndihmën e parë, aty për aty e kanë dhënë ata ose e kanë bërë tërheqjen nëse ka qenë ndonjë lëndim më i rëndë ose plagosje më të rëndë, e kanë tërheq tek spitali. I kemi pasur dy spitale fushore, njëri ka qenë në Kukës dhe Elshan”, ka thënë Shala.

Veç kësaj Shala deklaruar se kur rastet kanë qenë më të rënda, të lënduarit ose të plagosurit janë dërguar edhe në spitalin e qytetit të Kuksit ose janë transportuar edhe në Tiranë./rtk

Të ngjashme