Ndërkohë që zërat kritikë për sulmet e Izraelit ndaj Gazës po shtohen, udhëheqësit izraelitë po punojnë për t’u siguruar që bota të mos harrojë tmerrin e sulmeve të Hamasit ndaj civilëve izraelitë – përfshirë të moshuarit dhe fëmijët – që shkaktuan luftën aktuale.
Ndërkohë që protestat janë zgjeruar nëpër botë këtë javë – zyrtarët izraelitë ftuan gazetarët e mediave ndërkombëtare të vizitojnë vendngjarjen e masakrave dhe të shohin me sytë e tyre përpjekjet e ekspertëve të të kriminalistikës për të identifikuar qindra viktima.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës Yan Boechat ishte mes tyre dhe na sjell këtë kronikë nga Tel Avivi. Paralajmërojmë shikuesit se kronika ka pamje të rënda.
Paletinezët e plagosur dërgohen me nxitim për të marrë ndihmë mjekësore ndërsa numri i viktimave në Gazë vazhdon të rritet pas dy javë sulmesh të parreshtura. Njëkohësisht, trysnia mbi Izraelin po shtohet dhe në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe pjesës më të madhe të botës, kanë shpërthyer protestat duke kërkuar që dhunës t’i jepet fund.
Në Berlin, tensionet shpërthyen gjatë protestave kundër Izraelit që rezultuan me arrestimin e 174 personave.
Ndërkohë, në Bregun Perëndimor, forcat izraelite u përplasën me protestuesit palestinezë. Disa palestinezë u vranë gjatë përleshjeve.
Ndërsa kritikat ndërkombëtare po shtohen, situata humanitare në Gazë po përkeqësohet.
Por autoritetet izraelite janë të vendosura të sigurohen që bota të mos harrojë ngjarjet e tronditëse të 7 tetorit, kur militantët e Hamasit sulmuan komunitetet izraelite përgjatë kufirit të Gazës, duke vrarë 1400 njerëz.
“Ky është Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tel Aviv. Prapa meje, po punohet në identifikimin e trupave, të njerëzve që janë vrarë të shtunën e kaluar. Deri më tani, ekspertët kanë identifikuar më shumë se 500 persona, por disa nga kufomat janë në gjendje aq të rëndë, sa që do të jetë e pamundur të identifikohen,” tha korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat nga vendi i ngjarjes.
Gazetarëve u është dhënë qasje në dhomat e autopsisë, ku po ekzaminohen trupat e viktimave. Eshtrat e djegur janë të përhapura gjithandej dhe mjekët po punojnë për identifikimin e tyre.
“Po mundohemi të zbulojmë se sa persona mund të identifikojmë nga këto mbetje mortore. Në këtë grumbull, gjetëm copa të veçantë të pjesës së poshtme të nofullës – gjetëm tri të tilla. Njeriu ka vetëm dy, pra, nga ky rast mund të themi se janë të paktën dy individë në mesin e këtyre mbetjeve mortore.”
Në pjesën jugore të Izraelit, në afërsi të Rripit të Gazës, gazetarët u dërguan për vizitë në vendbanimin Be’eri, njëri prej komuniteteve ku plagët e masakrës së Hamasit janë ende të freskëta.
Shkatërrimi, por edhe motoçikletat dhe armët e militantëve të Hamasit, mbeten të paprekura.
Izraeli pati edhe një shenjë të rëndësishme të përkrahjes ndërkombëtare pas vizitës së Presidentit amerikan Joe Biden. Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi Izraelin të enjten dhe premtoi përkrahje, si dhe ofertë për të ndërmjetësuar një marrëveshje për dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë.
Por, ndërkohë që këto përpjekje diplomatike po vazhdojnë, aeroplanët ushtarakë të Izraelit vazhduan të bombardojnë Gazën. Autoritetet atje po përditësojnë çdo orë numrin në rritje të të vrarëve, që tashmë ka kapur shifrën e disa mijërave.
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...
Komisioni Disiplinor i FFK-së merr masa për futbollistët që ...
“Marre se si po duket”, Lela u kërkon banorëve që të pastroj...
Dëshmitari Çadraku: Shumë dokumente që më janë prezantuar ka...
Liverpooli merr një lajm të mirë para ndeshjes me Real Madri...
Hamza fton bashkatdhetarët të investojnë në Kosovë: Së bashk...