Ndahet nga jeta legjendari Bobby Charlton, futbolli anglez në zi

19:48 | 21 Tetor 2023
KRG

Ndahet nga jeta legjenda e futbollit anglez, Bobby Charlton. Legjenda e Manchester United dhe një nga protagonistët e Anglisë kampione Bote më 1966-ën, mbylli sytë në moshën 86-vjeçare.

Lajmin e dhanë familjarët e tij, që thanë se Bobby Charlton ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të të shtunës.

Robert Charlton lindi më 11 tetor të 1937-ës në Ashington, ndërsa si futbollist u rrit te Manchester United, klub me të cilin shkroi edhe historinë, duke u shndërruar me të drejtë në një legjendë të “djajve të kuq”.

Ai luajti me fanellën e Manchester United për 17 vite, nga 1956-a deri në 1973—shin dhe në 758 ndeshje, shënoi 249 gola, duke fituar edhe tre tituj kampionë në Angli, një FA Cup, një Community Shield dhe një Kupë Europe.

Bobby Charlton luajti për 12 vite edhe me Kombëtaren Angleze, duke shënuar 49 gola në 106 ndeshje, teksa emri i tij është shkruar me gërma të arta në histori, pasi ishte protagonist në Kupën e Botës 1966, të vetmen ku “tre luanët” ia kanë dalë ta fitojnë në historinë e futbollit.

Në vitin e artë të Botërorit Bobby Charlton fitoi edhe çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, si dhe Topin e Artë, falë paraqitjeve të shkëlqyera me fanellën e Anglisë.

Sir Boby Charlton ka qenë anëtar i bordit drejtues të Manchester United prej shumë vitesh, teksa ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe si ambasador i sportit anglez në evente të mëdha botërore./ss

Të ngjashme