Google ADS

Reagon Gjykata Komerciale për “Rrugën A”: Lerini gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur

22:03 | 20 Tetor 2023
K.B

Gjykata Komerciale e Kosovës, ka reaguar ndaj deklarimeve të e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

Komercialja thotë se duhet të mësohemi t’i respektojmë vendimet gjyqësore pa paragjykim.

“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, thuhet në reagimin e kësaj Gjykate.

Tutje në njoftim thuhet se Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar.

“Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar”, vijon tutje reagimi i Komerciales.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka reaguar pas vendimi të Gjykatës Komerciale për ndalimin e punimit në “Rrugën A”.

Sipas Ramës ky vendim është i bazuar në interesa politike, që me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës.

‘Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”, shkruan Rama në reagimin e tij, përcjell Arbresh.info

Rama tha se shpreson që Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike.

“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me
interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, shkruan ai.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar pas ndërprerjes së punimeve të rrugës “Jim Jema” në kryeqytet, të njohur si “Rruga A”.

Ai e ka quajtur këtë si një çmenduri që të lë pa fjalë, duke thënë se Rruga A po ecte në ritëm të mbarë.

“Një çmenduri që të lë pa fjalë, Rruga A po ecte në ritëm të mbarë. Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Një lagje e re për Prishtinën, një komunitet i ri në bërje”, shkruan Abdixhiku, përcjell Arbresh.info

Sipas kreut të LDK-së në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë, duke shtuar se Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet.

“Por ja që në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë. Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet. Dhjetëra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital”, shkruan ai./Arbresh.info/

Të ngjashme