Anëtarja e lartë shqiptare në KE për Marrëdhënie me Jashtë: Së pari siguria në Kosovë, pastaj dialogu me Serbinë

14:31 | 20 Tetor 2023
KRG

“Procesi i dialogut [me Serbinë] do t’i sjellë Kosovës shumë të mira nëse do të ketë sukses, por mendoj se fokusi, për momentin, duhet të jetë në situatën e sigurisë në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Engjëllushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Diplomatë perëndimorë pritet të qëndrojnë në Prishtinë dhe Beograd në fundjavë, në përpjekje, siç është thënë, për ta shpëtuar dialogun mes dy vendeve.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, dhjetë ditë përpara një sulmi kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter.

Morina thotë ky sulm ka qenë “një alarm për të gjithë se sa e brishtë është situata e sigurisë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në rajon”.

Sipas saj, kjo ngjarje do vëmendje më të fokusuar në mënyrë që të mos përsëritet.

Nga vizitat e diplomatëve perëndimorë, ajo pret shtytje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Natyrisht, procesi i dialogut do t’i sjellë Kosovës shumë të mira nëse do të ketë sukses, por mendoj se fokusi, për momentin, duhet të jetë në situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Pastaj, pasi të vihen disa parametra në vend, të diskutohet edhe për uljen në tavolinë. Pa e sqaruar situatën e sigurisë në veri të Kosovës, është vështirë të paramendohet suksesi në dialog”, tha ajo.

Të ngjashme