Radio Evropa e Lirë dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares së REL-it, Alsu Kurmasheva, e cila është arrestuar në Kazan të Rusisë, në pritje të kthimit të pasaportave të saj.
Kurmasheva u arrestua më 18 tetor dhe u akuzua se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj, një akuzë për të cilën mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.
Kurmasheva është gazetare e Shërbimit Tatar-Bashkir në selinë e REL-it në Pragë, e cila ka dy shtetësi, amerikane dhe ruse. Ajo kishte udhëtuar në Rusi për një emergjencë familjare në muajin maj.
Ajo ishte ndaluar përkohësisht teksa po priste avionin në aeroportin e Kazanit për t’u kthyer në Pragë më 2 qershor. Autoritetet ia konfiskuan pasaportat amerikane dhe ruse dhe që atëherë nuk ka mundur që të largohet nga Rusia.
Autoritetet fillimisht e gjobitën për dështim të regjistrimit tek autoritetet të pasaportave të saj amerikane dhe ruse. Kurmasheva ishte duke pritur që autoritetet t’ia kthenin pasaportat, por më 18 tetor ndaj saj u ngrit akuza e re.
“Alsu është një kolege e respektuar, një grua e përkushtuar dhe nënë e përkushtuar e dy fëmijëve”, tha ushtruesi i detyrës së presidentit të REL-it, Jeffrey Gedmin.
“Ajo duhet të lirohet në mënyrë që të kthehet menjëherë te familja e saj”, shtoi ai.
Kurmasheva jeton në Pragë të Republikës Çeke, me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) e ka cilësuar akuzën ndaj Kurmashevës si “të paligjshme” dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që ta lirojnë menjëherë atë.
“CPJ është thellësisht i shqetësuar me arrestimin e gazetares amerikane-ruse, Alsu Kurmasheva, nën akuza të paligjshme dhe i bën thirrje autoriteteve ruse që ta lirojnë menjëherë atë”, tha Gulnoza Said, koordinatore për programin në Evropë dhe Azi Qendrore të CPJ-së.
Që nga viti 2012, Rusia ka përdorur ligjet e ashtuquajtura për agjentë të huaj për të shënjestruar kritikët e politikave qeveritare.
Po ashtu, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, Moska ka shpeshtuar mbylljen e organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave.
Sipas ligjeve ruse, autoritetet mund t’i cilësojnë organizatat jofitimprurëse si “agjentë të huaj” nëse pranojnë fonde nga jashtë dhe janë të angazhuara në aktivitete politike.
Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane që po mbahet në Rusi, pasi gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u arrestua në mars të këtij viti nën akuza për spiunazh.
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...
Ish-koloneli për armatimin: Banjska qe e përgatitur, aksione...
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...
Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ish...
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...