Amabasada franceze deklarohet rreth fjalimit të Macronit

20:23 | 18 Tetor 2023
E.H

Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron lidhur me vizat, duke thënë se liberalizmi i vizave ishte një gjest mirëbesimi, por që sipas tij nuk ishte reciprok nga pala kosovare.

Në një përgjigje për portalin Arbresh.info thuhet se Macron, ka nënvizuar qartë pritshmërinë për dënimin e sulmit të 24 shtatorit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mes tjerash, nga Ambasada kanë thënë se presidenti Macron ka theksuar nevojën që të dyja palët, të Kosovës dhe Serbisë, të dëshmojnë një frymë përgjegjësie.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq : të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në emilin e Ambasadës franceze në Prishtinë drejtuar Arbresh.info.

Po ashtu, thuhet se Macron ka kërkuar nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës “me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thonë tutje nga Ambasada./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme