Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë, Kurti – PDK-së: Motivin dhe qëllim nuk arrijnë ta fshehin dot

20:08 | 18 Tetor 2023
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur reformat që ka marr në drejtësi, gjatë qeverisjes së tij.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se duhet të ketë drejtësi në gjykatore, drejtësi për viktimat dhe drejtësi në trajtim, sepse sipas tij “I tillë duhet të jetë shteti i së drejtës”, shkruan Arbresh.info.

I pari i ekzekutivit kosovarë ka shtuar se derisa të mundësohet Vetingu nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese, puna në drejtësi sipas tij, ka vazhduar.

Mes tjerash, kryeministri deklaron se dhuna në familje dhe në baza gjinore vazhdon të mbetet brengë shoqërore dhe institucionale.

Ai ka folur edhe për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, për të cilin tha se PDK po të mos e dërgonte në Kushtetuese, puna e Byrosë do të fillonte para fundit të vitit.

“Të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ua mohon kush. Por motivin dhe qëllim nuk arrijnë ta fshehin dot”, shkruan ai./arbresh.info

Postimi i plotë i Kurtit:

Drejtësi në gjykatore. Drejtësi për viktimat. Drejtësi në trajtim. I tillë duhet të jetë shteti i së drejtës. Të tillë do ta bëjmë me reformat e ndërmarra.

Deri më tani kemi finalizuar amendamentet Kushtetuese dhe draftin e parë të Projektligjit për Vetingun. Tashmë po bëhen 8 muaj që Gjykata i ka në shqyrtim.

E deri sa të mundësohet Vetingu nga një verdikt i Gjykatës Kushtetuese, puna për drejtësi ka vazhduar.

Po themelojmë Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, për herë të parë nëpërmjet ligjit, që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.

Dhuna në familje dhe në baza gjinore vazhdon të mbetet brengë shoqërore dhe institucionale. Për të adresuar atë kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, krahas Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Ligjit për Ndihmë Juridike Falas dhe mbi 10 akte tjera normative.

Kurse strehimoret që kujdesen për viktimat e dhunës në familje dhe organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë dhe avokojnë për të drejtat e njeriut, i mbështetëm me 1.6 milion euro gjatë këtij viti.

Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tre fitore në arbitrazhin ndërkombëtar.

Është themeluar dhe funksionalizuar Gjykata Komerciale, sipas zotimit programor, dhe është miratuar baza për themelimin e Gjykatës Administrative dhe të Punës, gjithashtu sipas zotimit tonë programor.

Zotim programor ka qenë dhe mbetet konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar. Për këtë qëllim përgatitëm dhe miratuam Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

Po të mos ishte për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kontestimin e ligjit nga ana e saj në Gjykatën Kushtetuese, tani do të ishim në proces e sipër të kompletimit të stafit të Byrosë, e cila punën do ta fillonte para fundit të vitit. Të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës

Kushtetuese nuk ua mohon kush. Por motivin dhe qëllimin nuk arrijnë ta fshehin dot.

Të ngjashme