Google ADS

Kosova forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Emiratet e Bashkuara Arabe

11:32 | 18 Tetor 2023
K.B

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit të saj me delegacionin kosovar në Emirate të Bashkuara Arabe, në shoqërim të ambasadorit tonë  Xhabir Hamiti, është pritur në takim bilateral nga Ministri i Shtetit të EBA-s, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh, me të cilin nënshkruan Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik.

Siç mësohet nga njoftimi për media nga kjo Ministri, ky protokoll, i cili rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, duke pasur për qëllim rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve.

Përmes këtij protokolli, Republika e Kosovës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, zotohen për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku përfshihen: industria prodhuese, bujqësia, inovacioni dhe teknologjia e mençur, infrastruktura, energjia dhe turizmi.

Ndër të tjera, nënshkrimi i këtij protokolli nga Hajdari, i hap rrugën Republikës së Kosovës për të tërhequr investitorë të rinj strategjik nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Hajdari theksoi se Kosova mbetet e hapur për investime të qëndrueshme nga ky vend, derisa ftoi Ministrin e Shtetit, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh, për vizitë në Republikën e Kosovës, për të parë nga afër mundësitë e shumta që ofrohen për investimet e huaja./Arbresh.info/

Të ngjashme