Google ADS

Biden anulon udhëtimin në Jordani pas sulmit në spitalin e Gazës

07:31 | 18 Tetor 2023
K.B

Presidenti Joe Biden anuloi të martën një ndalesë të planifikuar në Jordani pas një vizite në Izrael si pasojë e një shpërthimi në një spital në Gaza që vrau rreth 500 palestinezë.

“Pas konsultimeve me Mbretin Abdullah të Jordanisë dhe duke marrë parasysh që Presidenti i Autoritetet Palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur ditë zie (për viktimat e shpërthimit në spitalin e Gazës), Presidenti Biden vendosi të shtyjë udhëtimin në Jordani dhe takimet e planifikuara me Mbretin Abdullah dhe Presidentin e Egjiptit el-Sisi”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

“Ai mezi pret të konsultohet personalisht me këta udhëheqës së shpejti dhe ra dakord të mbetet i angazhuar rregullisht dhe drejtpërdrejt me secilin prej tyre gjatë ditëve në vijim”, tha zyrtari. Presidenti Biden u nis të martën në mbremje drejt Izraelit, ku do të shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin në luftën kundër militantëve të Hamasit. Pas vizitës në Izrael, Presidenti Biden kishte në plan të shkonte në Jordani për takime me Mbretin Abdullah, Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas.

Një shpërthim masiv të martën në një spital të qytetit të Gazës, të mbushur me të plagosur dhe palestinezë të tjerë që kërkonin strehim vrau qindra njerëz, tha Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Zyrtarët e grupit militant të Hamasit thanë se shpërthimi u shaktua nga një sulm ajror izraelit, ndërsa ushtria izraelite tha se spitali u godit nga një raketë e lëshuar nga militantët palestinezë.

Qindra palestinezë kanë gjetur strehë në al-Ahli dhe spitale të tjera në qytetin e Gazës në ditët e kaluara, në përpjekje për të shpëtuar nga bombardimet pasi Izraeli urdhëroi të gjithë banorët e qytetit dhe zonave përreth që të evakuoheshin në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Hamasi, që është përgjegjës për sulmin terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin u vranë 1400 njerëz dhe ka refuzuar prej kohësh të njohë shtetin e Izraelit, tha se “bashkësia ndërkombëtare dhe vendet arabe dhe islamike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur pushtimin dhe ushtrinë fashiste (të Izraelit)”.

Protesta të dhunshme në Bregun Perëndimor

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi lëshojë një deklaratë të martën, ku thotë se “dënon sulmi izraelit ndaj spitalit në Gazë”, të cilin e quajti “një shkelje të qartë të ligjeve ndërkombëtare”.

Shtëpia e Bardhë tha se gjatë vizitës në Izrael Presidenti Biden do të përsërisë se Hamasi nuk mbështet të drejtën e popullit palestinez për dinjitet dhe vetëvendosje dhe do të diskutojë mbi nevojat humanitare të civilëve në Rripin e Gazës. /VOA

Të ngjashme