Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës, tha se gati secili nga anëtarët e dy organizatave terroriste në veri- Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut, janë financuar deri në 2 mijë e 500 euro në muaj nga Serbia.
Osmani tha se ky ka qenë financim i rëndësishëm nga ana e tyre, që të përgatitet një sulm i tillë si ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Tani të gjitha dëshmitë që janë mbledhur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat dua t’i falënderoj Policinë dhe AKI-në që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe, dëshmojnë qartë katër lidhjet kryesore që na çojnë direkt tek lidershpi i Serbisë; e para ka të bëjë me financimin e grupeve terroriste sepse ai financim është bërë që një kohë të gjatë, por në veçanti ka qenë më i fokusuar në muajt e fundit ku secili anëtar i këtyre dy organizatave terroriste: i Mbrojtjes Civile dhe i Brigadës së Veriut, ka qenë paguar diku deri në 2 mijë e 500 euro në muaj nga ana e institucioneve të Serbisë që ka qenë një financim goxha i rëndësishëm nga ana e tyre që të përgatitet një sulm i tillë”, tha Osmani në emisionin ‘Tempus’.
Osmani tha se grupi terrorist që zhvilloi sulmin në Banjskë, u trajnua në vendet ku trajnohet ushtria e Serbisë.
“Pjesa e dytë ka qenë pjesa e trajnimeve, tashmë ka edhe video-dëshmi, ka pasur edhe më herët informata të mbledhura nga institucionet e sigurisë që dëshmojnë që të gjitha këto trajnime janë bërë në bazat ushtarake të shtetit serb. Pra, nuk kanë qenë këto baza të formuara për këto grupe të caktuara, po aty ku është trajnuar ushtria serbe, aty janë trajnuar edhe këto grupe terroriste”, tha Osmani.
Osmani tha se në veri të Kosovës po punohet që të konfiskohen armë të cilat janë futur në rrugë ilegale edhe para sulmit të 24 shtatorit.
“E treta është lidhja nëpërmjet armëve, e dini që atë ditë janë konfiskuar armë për diku 400 persona. Akoma policia është duke bërë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in një punë të rëndësishme që të konfiskohen edhe më shumë mjete që para 24 shtatorit janë futur në veri të Kosovës, po flasim për mjete ushtarake të luftimit të cilat janë kontrabanduar nëpërmjet rrugëve ilegale në veri”, tha Osmani.
Ndërsa, lidhja e katër, Osmani tha është ajo politike nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me Listën Serbe, pastaj lidhjet me Vulinin, Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë dhe personalitete të tjera.
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh