U.D Drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s, Danijela Gačević, theksoi zotimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor drejt bashkëpunimit rajonal të bëra në vitin 2020.
Duke iu drejtuar sesionit me temë “Integrimi i rajonit në tregun e vetëm dhe përmirësimi i konvergjencës me BE-në”, Gačević tha se shtatë vendime jashtëzaokinsht të rëndësishme janë dakorduar në nivel të ekspertëve dhe duhet të miratohen nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s
“Shtatë vendime jashtëzakonisht të rëndësishme janë dakorduar në nivel të ekspertëve dhe duhet të miratohen nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s. Ato kanë potencialin që jo vetëm t’i transformojnë ekonomitë tona, por edhe për të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Këto vendime, përfitimet e të cilave prekin nga mikro-ndërmarrjet tek korporatat shumëkombëshe dhe nga ekonomitë individuale familjare tek komuniteti i gjerë, ofrojnë rritje, prosperitet dhe mundësi të gjera. Megjithatë, ende nuk janë përjetuar përfitimet e mirëfillta – ndryshimet e prekshme që ndjehen në ekonomi familjare dhe tregje – pasi që këto vendime janë ende në pritje të zbatimit”, tha ajo.
Gačević theksoi se zgjidhjet inovative në fusha si lëvizshmëria profesionale, lehtësimi i tregtisë, tregtia elektronike, shërbimet për dorëzim të pakove ndërmjet palëve dhe procedurat doganore, mund të realizohen vetëm kur bashkëpunimi rajonal të kalojë nga fjalët e thjeshta në veprime të prekshme.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në klimën aktuale të rritjes së inflacionit, i cili gërryen të hyrat reale, zbeh besimin e konsumatorëve dhe të biznesit, çon në norma më të larta interesi dhe kufizon fleksibilitetin fiskal të qeverisë.”, tha ajo.
Sipas njoftimit, Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit 2023 shërbeu si një mundësi për të përmbledhur përpjekjet e kaluara dhe për të ofruar një pasqyrë të sfidave të së ardhmes. Konsensusi ishte se Tregu i Përbashkët Rajonal ka implikime të gjera shoqërore në Ballkanin Perëndimor. Kështu, kjo kërkon një qasje të sinkronizuar dhe konsistente nga të gjitha palët kyçe të interesit.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi që vendimet janë sjellë deri në pikën kur plotësohen të gjitha kushtet që këto dokumente të miratohen nga Komiteti i Përbashkët, organi i vetëm vendimmarrës i CEFTA-s. Diskutimet prekën edhe kapacitetet e kufizuara të administratave të Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhjet e mundshme.”, vijon njoftimi.
Të gjitha palëve iu rikujtua se Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal përputhet me strategjitë, rregullat, standardet dhe udhëzimet e BE-së, duke shërbyer si rrugë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Një sfidë e shtuar janë nevojat dhe prioritetet e ndryshme që ka secila ekonomi në lidhje me zbatimin e kësaj agjende. Megjithatë, ekzekutimi i suksesshëm mbetet me interes të madh publik, duke reflektuar drejtpërdrejt përparimin shoqëror.”, bën të ditur njoftimi i CEFTA-s.
“Teksa ne si rajon kemi bërë shumë në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe krijimit të mundësive tregtare, puna nuk është e përfunduar. Zhvillimi i vazhdueshëm është imperativ për të korrur vërtet frytet e këtyre iniciativave”, u shpreh u.d. drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s.
CEFTA mbetet e përkushtuar për trajtimin e barrierave jo-tarifore, thjeshtimin e dokumentacionit për mallra dhe shërbime, promovimin e digjitalizimit të tregtisë dhe respektimin e politikave dhe standardeve të BE-së.
Përpjekjet e përforcuara për të zbatuar Planin Ekonomik dhe të Investimeve, së bashku me iniciativat si Korsitë e Gjelbra CEFTA-TCT, pritet të përshpejtojnë zhdoganimin e mallrave dhe të minimizojnë kohën e pritjes në kufi.
Siç thuhet në komunikatë, CEFTA kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në zgjerimin ekonomik.
Në vitin 2022, tregtia e mallrave u rrit në 8.8 miliardë, duke shfaqur një rritje mahnitëse prej 112% që nga viti 2014.
Barometri Ballkanik tregon se në vitin 2022, 61% e kompanive përfituan nga CEFTA, një rritje e dukshme nga 37% në 2015.
CEFTA u shpreh optimiste se Plani i ardhshëm i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i shpallur nga Komisioni Evropian, do t’i përshpejtojë këto procese, duke i dhënë hov përafrimit socio-ekonomik të rajonit me tregun e vetëm të BE-së./Arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...