Google ADS

MPJD për Arbresh.info: Nuk kemi pranuar asnjë vendim zyrtar nga Franca për çështjen e liberalizimit të vizave

16:01 | 17 Tetor 2023
E.G

Ministria e Punëve të Jashme ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me vizat për Kosovën.

Në një përgjigje për Arbresh.info, ministria ka thënë se nuk kanë marrë asnjë vendim zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave nga Franca.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.”, thuhet në përgjigje e ministrisë.

Tutje, ministria sqaron se vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare.

“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave.”, thuhet tutje.

MPJD thekson se nuk kanë marrë ndonjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës u raportua se presidenti i Emmanuel Macron, kishte deklaruar se “Franca e ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovë”.

Abcnews.al ka siguruar një sqarim nga zyra e presidentit francez, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, sqaroi zyra e Emmanuel Macron./Arbresh.info./

 

Të ngjashme