Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën, ndërsa kriza humanitare në Gazë vazhdon të përshkallëzohet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Brown pritet ndërkohë edhe fillimi i ofensivës ushtarake tokësore i ushtrisë së Izraelit.
Mbërritja e Presidentit Biden vjen ndërsa forcat izraelite janë vendosur pranë kufirit me Gazën. Deri më tani janë vrarë nga luftimet mbi 1400 izraelitë dhe 2800 palestinezë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e bëri të ditur udhëtimin e Presidentit Biden pas takimit maratonë prej shtatë orësh e gjysëm të hënën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Ai po vjen në një moment jetik për Izraelin, për rajonin, dhe për botën. Dhe po vjen për të bërë këto gjëra: Së pari, presidenti do të ripohojë solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Izraelin dhe përkushtimin tonë të çeliktë ndaj sigurisë së tij. Së dyti, Presidenti Biden do të nënvizojë mesazhin tonë tepër të qartë për të gjithë faktorët, shtetërorë apo jo-shtetërorë, që përpiqen të përfitojnë nga kriza për ta sulmuar Izraelin. Mos e bëni këtë. Për këtë qëllim, ai ka dislokuar në rajon dy grupe luftarake detare me aeroplanmbajtëse dhe mjete të tjera ushtarake”, tha Sekretari Blinken.
Sekretari Blinken tha se presidenti amerikan do të dëgjojë drejtpërsëdrejti nga kryeministri izraelit se si do t’i kryejë Izraeli operacionet ushtarake në një mënyrë që të mbahet në minimum numri i viktimave në radhët e civilëve dhe që do të mundësojë mbërritjen e ndihmave humanitare tek civilët në Gaza, duke mos lënë hapësira për përfitim për Hamasin.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se pas ndalesës së Presidentit Biden në Tel Aviv, ai do të shkojë në Jordani, ku do të takohet me Mbretin Abdullah dhe presidentët e Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez./voa
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?
Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga qershori
Gjermania përpilon listën e bunkerëve që mund të ofrojnë str...
Moti në Shqipëri, temperaturat arrijnë deri në -2 gradë