Google ADS

Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler

15:31 | 17 Tetor 2023
E.K

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER.

Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.

Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim./Arbresh.info

Të ngjashme