Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar kërkesën e nënkryetarit të OVL UÇK-së, Nasim Haradinajt për lirim të parakohshëm.
Kështu kanë njoftuar Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, raporton Arbresh.info.
Sipas këtij njoftimi po me 12 tetor njëjtë si Hysni Gucati edhe Nasim Haradinaj kishte bërë kërkesë për lirim të parakohshëm.
“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi se ajo do të shqyrtojë modifikimin e vendimit të Nasim Haradinaj për lirimin e tij me disa kushte pasi të marrë raport prej Administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e Haradinaj gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me Haradinaj”, thuhet në njoftim.
Por, sipas njoftimit, Trendafilova ka bërë të ditur se Haradinaj ka precedent disiplinorë në Njesinë e Paraburgimit.
“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që mund të peshojnë në favor të modifikimit të dënimit të tij. Kryetarja gjithashtu vuri në dukje shprehjet e keqardhjes prej Haradinaj gjatë seancës gojore dhe zotimit të tij për moskryerjen e veprimeve të tjera që mund të karakterizohen si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Sidoqoftë Kryetarja theksoi se Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP)”, thuhet në njoftim.
Mirëpo, me urdhër të kryetares Trendafilova, Administratorja do të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në Njesinë e Paraburgimit në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij.
“Sidoqoftë Kryetarja theksoi se z. Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht Kryetarja gjykoi se megjithëse z. Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim. Për këtë arsye Kryetarja urdhëroi Administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”, thuhet në njoftim.
LEXO EDHE
Ndërkohë, procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit është procedurë individuale. Kur personi I dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet.
Ndryshe, nënkryetari i OVL UÇK, Nasim Haradinaj, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me urdhër të Dhomave të Specializuara në shtator të vitit 2020.
Specialja i shpalli fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn më 18 maj 2022 për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.Arbresh.info/
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra ng...
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt