Liga e Shkollave të Mesme, projekt i radhës në bashkëpunim të FFK-së dhe Komunës së Prishtinës

17:13 | 16 Tetor 2023
D.H

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pritur sot në selinë e FFK-së, nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu si dhe Drejtorin e Sportit, Granit Rugova. Shkak i këtij takimi ka qenë iniciativa e rëndësishme që do të ndryshojë peizazhin e futbollit të shkollave të mesme në Kosovë – Liga e Shkollave të Mesme.

Ky projekt është një nismë e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Federata, gjithmonë e përkushtuar ndaj sportit të rinisë dhe të shkollave, është e hapur për të mbështetur projekte inovative të këtij lloji. “Liga e Shkollave të Mesme” është një projekt pilot që do të fillojë punën tani dhe zbatimi i saj fillon në shkurt të vitit 2024.

Përfaqësuesit e komunës thanë se ideja e këtij takimi është ofrimi i mundësive që të rinjtë e shkollave të mesme të përfshihen në futboll.

Presidenti Ademi tha se është gjithmonë i hapur për të mbështetur komunën në projekte të tilla, ku u jepet mundësia të rinjve të jenë pjesë e futbollit.

Fillimisht, kjo ligë do të përfshijë 14 shkolla të mesme të Komunës së Prishtinës, duke ndihmuar kësisoj në promovimin e aftësive sportive tek të rinjtë.

Të dyja palët shprehën shpresën që, me kalimin e kohës, ky projekt do të zgjerohet për të përfshirë edhe shkollat fillore, në mënyrë që të inkurajojë më shumë të rinjtë për t’u aktivizuar në futboll dhe në sport në përgjithësi.

Kreu i FFK-së theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin dhe të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Prishtinës në iniciativa të tilla sportive.

Shkollat që do të marrin pjesë në këtë projekt janë: Sami Frashëri, Xhevdet Doda, Eqrem Çabej, Dr. Ali Sokoli, 28 Nëntori, Shtjefen Gjeqovi, Hoxhë Kadri Prishtina, 7 Shtatori, Abdyl Frashëri, Prenk Jakova, Gjin Gazulli, Alauddin, Gjimnazi Matematikor, Sami Frashëri II./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme