Google ADS

Sánchez kërkon angazhimin e duhur të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Berlinit, dënon sulmet e Hamasit ndaj Izraelit

13:27 | 16 Tetor 2023
E.H

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, i ftuar si Presidenca e Këshillit Evropian që të jetë pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit, gjatë fjalës së tij në takim është ndalur në dy momente kyçe; zgjerimi i BE dhe sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.

“Këshilli Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm që ju të bëheni pjesë e BE-së dhe ky rol është gjithnjë e më i rëndëshishëm sa i takon zgjerimit, që është një përparësi e Bashkimit Evropian.

Takimi ynë vjen në një moment kyç, së pari sepse sfidat e kontinentit tonë kanë bërë që zgjerimi sa i përketë BE të jetë në krye të agjendës së saj. Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia shënoi një pikë kthese, por jo vetëm kaq. Pandemia e Covid-19, shndërrimi digjital, shndërrimi ekonomik, të gjitha këto çështje me të cilat ne jemi përballur na kanë treguar se të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku dhe kjo këkon përpjekje nga të gjithë.

Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive në Granada të Spanjës krijoi terrenin e duhur për këto diskutime. Për mënyrën se si mund të përshtatet BE që të jetë gati për një bashkim më të zgjeruar në të ardhmen. Ne jemi tërësisht të angazhuar dhe do të punojmë tërësisht për një Evropë të bashkuar dhe më funksionale.

Natyrisht ne kërkojmë nga Procesi i Berlinit angazhimin e duhur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor për progres dhe besojmë se mund të kemi gjëra më të mira në të ardhmen.

Natyrisht që ne shikojmë sektorë të ndryshëm, kemi parë edhe ministerialet që u organizuan para këtij samiti dhe natyrisht që në këtë proces kemi arritur rezultate në fronte të ndryshme. Por e rëndësishme është që qytetarët të shohin rezultate të prekshme.

Së dyti, ne takohemi në një moment kyç për komunitetin ndërkombëtar. Edhe njëherë Evropa është një shembull që tregon se dialogu funksionon, bashkëpunimi mes kombeve funksionon, që dallimet mund ti tejkalojmë dhe pajtimi është e vetmja mënyrë që të ecim para.

Ky është thelbi, esenca, e Procesit të Berlinit dhe Bashkimit Evropian. Ne thjesht kujtohemi në këto momente gjithnjë e më tepër për ato gjëra që po ndodhin, sidomos në Lindjen e Mesme ku gjërat kanë marrë zjarr. Lufta dhe konflikti është e kundërta e asaj që ne mbrojmë dhe për këtë arsye unë dua të ritheksojë edhe njëherë që ne dënojmë Hamasin për sulmin kundër Izraelit dhe Izraeli ka të drejtën e vetë legjitime që të mbrohet duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe humanitare, por në të njëjtën kohë mbrojtja e qytetarëve civil është thelbësore. Ne duhet të punojmë për shmangien e përshkallëzimit dhe të dhunës dhe të rigjallërojmë të gjitha përpjekjet tona për të arritur një zgjidhje të paqshme mes Izraelit dhe Palestinës. Kjo është e vetmja mënyrë”- tha Sánchez./tch

Të ngjashme